Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate në Kosovë, bashkëshorti i ish-ministres Besa Shahini, është bërë pjesë e një përplasje me policinë gjatë një proteste për rritjen e çmimit të energjisë elektrike të organizuara para qeverisë në Prishtinë.
Molliqaj ka goditur me shuplakë një prej efektivëve të policisë. Gjatë protestës, ku morën pjesë disa mijëra vetë, pati edhe përleshje me policinë që ishte vendosur para godinës së qeverisë.
Molliqaj ka akuzuar Policinë se po vepron politikisht dhe i ka quajtur të pasjellshëm efektivët. “Manifestimi i sotëm nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e njerëzve që u vetorganizuan, madje sollën edhe parulla me vete; nuk do të ishte i mundur pa gazetarët që kanë informuar rregullisht dhe drejt mbi rritjen e çmimit të rrymës, por edhe lajmet për protestën. Ky bashkim nuk është bashkim në shërbim të askujt veçanërisht. Ky lloj mobilizimi është i mundur vetëm kur ndërmjetësohet dhe ka në qendër interesin publik. Përpara”, ka shkruar ai në Facebook.
Për rastin, e kapur nga kamerat, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetim ndaj Molliqajt. Policia thotë se gjatë protestës disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë. Hetim për Molliqajn ka kërkuar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës. “Ky sulm shihet shumë qartë në video, prandaj kërkojmë nga organet e drejtësisë që menjëherë të veprojnë sipas procedurave ligjore dhe të gjithë ata që i kanë sulmuar zyrtarët policorë të hetohen zyrtarisht”, thuhet në reagim.