Ish-kryeministri Sali Berisha sot zyrtarizoi koalicionin me LSI-në për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në 6 bashki të vendit; Shkodër, Dibër, Durrës, Lushnje, Vorë dhe Rrogozhinë. Bashkimi i Sali Berishës me partinë që i dha mandatin e dytë qeverisës në 2009 nuk kaloi në heshtje, por me sulm nga Lulzim Basha, që e cilësoi “koalicion non grata”.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen te deklarata e Monika Kryemadhit ishte një fjali mes rreshtave, që nuk e njeh Lulzim Bashën kryetar të PD-së, por i referohet thjesht si deputet i partisë më të madhe në opozitë.
“I tmerruar nga primaret e djeshme të jashtëzakonshme, deputeti Basha i cili mashtroi për 10 vite e si bëri kurrë tani provokon LSI-në për të shmangur vëmendjen nga kandidatët që caktohen me zarfa në minutë të fundit prej 10 vitesh. Të gjithë për rivendosjen e integritetit të votës së lirë” mbyllet mesazhi i LSI-së.
LSI nuk është e vetme që ka këtë qëndrim, por i bashkohet Ilir Metës dhe Edi Ramës, që gjithashtu e “injorojnë” Lulzim Bashën duke qenë në një linjë me Sali Berishën.
Gjashtë ditë më parë Presidenti Ilir Meta pati një shkëmbim replikash me Gazment Bardhin, ku Lulzim Bashës nuk iu referua si kryetar i PD-së por e quajti deputet, çka e ka bërë vazhdimisht ish-kryeministri Sali Berisha që thotë se Kuvendi e ka shkarkuar Bashën.
“I rikujtojmë deputetëve Basha – Bardhi, që Presidenti i Republikës nuk është as subjekt zgjedhor, as përfaqësues i ndonjë partie garuese në zgjedhje, dhe as hyn në llojin e atyre institucioneve që kanë për detyrë që sa herë ka garë elektorale të ndjekë nëpër gjykata Partitë Politike, apo të mbrojë interesat e ndonjë force politike të caktuar” shkruante Meta.
Legjitimitetin e Lulzim Bashës në krye të PD-së e ka vendosur në diskutim edhe vetë kryeministri Edi Rama. “Basha nuk ka legjitimitet, kjo është e dukshme, ai ka vetëm vulën” është shprehur Rama, ndërsa në parlament e ka “injoruar” duke i lënë Elisa Spiropalin për të replikuar.
Në kushtet kur gjykata e ka njohur, por edhe përfaqësitë diplomatike, cila është arsyeja, që ka presidenti, kryeministri dhe partia e dytë më e madhe në opozitë nuk njohin Lulzim Bashën kryetar të PD-së? A lidhet kjo me diversionin apo frikën e kauzës së Bashës për një politikë të re…
/5pyetjet.al