Në një deklaratë për mediat, Artan Lame, kreu i Kadastrës, ka folur në lidhje me digjitalizimin e dokumenteve kadastrale. Ai theksoi se bëhet fjalë për 50 milionë dokumente që do t’i nënshtrohen procesit digjital. Lame u shpreh se ky proces nuk do të lejojë që të kryhen më “lojëra si në hipotekën e vjetër”.
Pak ditë më parë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i kërkoi Artan Lames që të shkrijë drejtorinë e Legalizimeve në Kadastrën e Durrësit.
Sot, kreu i Kadastrës, Artan Lame në një deklaratë për mediat bëri me dije se në katër drejtori rajonale, ka vende të lira pune për shkak të largimit të punonjësve që sipas tij “nuk e kanë kuptuar që Kadastra e re nuk mund të vijojë me lojërat e Hipotekës së vjetër”.
“Struktura e re e Kadastrës e miratuar dje nga Kryeministri hap rrugën për riformatimin e shumë drejtorive rajonale që kanë pasur probleme kohët e fundit.
Këto vende pune që përmbajnë këto drejtori janë krijuar për dy arsye: e para për largimet nga puna të atyre që nuk e përballuan dot ritmin tonë, apo që nuk deshën të kuptojnë që Kadastra e re s’mund të vazhdojë me lojërat e hipotekës së vjetër. Javë pas jave keni pasur largime herë të qeta e herë të zhurmshme punonjësish, në kuptimin mediatik, arsyeja është kjo e fundit, ka dhe nga ata që largohen vete, ka dhe nga ata që nuk deshën të kuptojnë që Kadastra e re s’mund të vijojë me metodat e Hipotekës së vjetër. Arsyeja e dytë që Kadastrës i ngarkohen disa funksione që vite më parë i kanë pasur disa institucione të tjera. Vendet e lira të punës në fazë të parë do të jenë në drejtoritë e Tiranës, Durrës Kavajë e Krujë”, u shpreh Lame.
Ndërkohë me miratimin nga Këshilli i Ministrave të strukturës së re të Kadastrës që parashikon ngritjen e qendrës së Kadastrës digjitale, janë hapur 230 vende të lira pune.
“Bëhet fjalë për dy kategori punonjësish operatorë të skanimit dhe sistemimit të dokumenteve dhe operatorët e digjitalizimit të kartelave”, tha Lame.
Kreu i Kadastrës kishte dhe një përgjigje për kritikët e aplikimeve: “Në Facebook do nisin sapo ne bëjmë shpalljen do kërkojnë informacion po dhe ata që thonë po merrni ushtarë partie janë të gjithë false, mos u merrni me ta, bëni aplikimet kush është i interesuar hajdeni të filloni punë, sheshin e keni aty, mejdanin e keni aty. Jam i bindur se gjithë llafollogët e Facebook do ulen të dekurajojnë këdo që do të dëshirojë të përfshihet në këtë thirrje. Mos u çudisni, e kanë bërë gjithmonë. Unë ju drejtohem direkt të interesuarve: Bujrum të gjithëve, ja sheshi ja mejdani!”.









