Gara për kreun e Federatës Shqiptare të Futbolli është futur në fazën më të nxehtë të saj. Armand Duka do të ketë përballë më 2 mars Dritan Shakohoxhën, komentatorin sportiv që pas një karrierë të gjatë në media, tashmë kërkon të drejtojë institucionin që drejton futbollin në vend.
I ftuar në “Procesin Sportiv”, Dritan Shakohoxhës është përplasur ashpër me gazetarin Gëzim Sinemati, i cili kujtoi se para 4 viteve, Shakohoxha ishte në krah të Dukës.
Më tej, Sinemati shkoi deri aty sa i kujtoi se e kishte mësuar Shakon në fillimet e veta në botën e futbollit. Përplasja ishte e fortë, aq sa drejtuesit Edi Manushi u detyrua të ndërhynte disa herë.
PJESË NGA DEBATI:
Sinemati: Katër vite më parë, kur Bashkim Fino konkuroi, Shakohoxha me median që kryesonte thonte po fut hundët politika në zgjedhje. Mbronte Dukën. Sot që është vënë kundër Dukës, me të vërtetë apo gjasme, janë gjëra që do t’i sqarojë koha.
Shakohoxha: Ndryshimi mes asaj që ka ndodhur para katër viteve dhe asaj që po ndodh tani, është më se evident. I ndjeri, zoti Bashkim Fino ishte deputet i parlamentit, anëtar i qeverisë, ish-ministër.
Sinemati: Po Bashkim Finon e njihke. Po, ti a e njeh veten? Ti ke harxhuar më shumë kohë afër Dukës, se sa afër futbollit. Po ti veten e njeh? Po politika a të njeh kush je?
Shakohoxha: Okej!
Sinemati: Jo nuk është okej. Kjo është e vërtetë. Dhe nëse ti e ke lidhje serioze me politikën dhe ia del…
Shakohoxha: Më lejo t’i përgjigjem pyetjes së parë. Politika nuk ndërhyri para katër viteve, por tentoi të bëhej drejtuese e futbollit.
Sinemati: Shako, jam gazetar më i vjetër se ty. Politika e solli Dukën, politika do ta heqë Dukën. Politika është si t’i vijë midea. Ku ka interesa, ku nuk ka interesa. Nëse do të bëhesh i besueshëm si Dritan Shakohoxha, kur del atje dhe bën fushatën, mos u merr vetëm me projektet e fëmijëve. Merru dhe me projektet e burrave. Çfarë do të bëhet në Shqipëri për futbollin e vërtetë? Çfarë lufte do të bësh kundër trukimeve? Ti dhe shefi që ke pasur dini më shumë nga kjo luftë.
Shakohoxha: Unë, Gëzim, s’kam pasur asnjë shef. O Gëzim të lutem. Se ti i kalon gjërat personale dhe nuk e di pse je kaq i nevrikosur.
Sinemati: Duka ka qenë shefi jot.
Shakohoxha: Nuk ka qenë në asnjë rast shefi im. Nuk kam punuar kurrë në Federatë, në asnjë institucion të Federatës.
Sinemati: Shefi jot shpirtëror Shako.
Shakohoxha: Gëzim, unë kam qenë shef. Edhe shefi jot kam qenë.
Sinemati: Ti nuk ke qenë asnjëherë shefi im. Ty të kanë vënë spaletat këta.
Shakohoxha: Më vjen shumë keq që ti do ta kalosh personale.
Sinemati: Kur më thotë ai që kam qenë shefi jot, e di ku më çon? Para shumë vitesh kur ai nuk dinte nga kapej me dorë stilokalemi. Unë bëja shkrime për Shakohoxhën.
Shakohoxha: Ti nuk ke punuar në televizionin Klan për mua?
Sinemati: Jo për ty mër jo, nuk je ti Klani. Unë kam punuar për televizionin Klan, s’kam punuar për ty. Kush je ti që të punoj për ty?









