Sot pritet vendimi nga gjykata në Prishtinë për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj. Ai u arrestua në hyrje të televizionit “T7”, pasi ditën e diel goditi me shuplakë një protestues gjatë tubimit për energjinë. Avokati i tij, Arbër Rexha tha se arrestimi dhe kërkesa për masën e paraburgimit janë të paligjshme.
“Presim nxjerrjen e vendimit nga gjykata. Çfarë mund të them, rasti është ajo që përveç që e konsiderojmë që kërkesa për masën e paraburgimit është e paligjshme. Konsiderojmë që edhe arrestimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme, ngase nuk janë përfillur dispozitat ligjore të cilat janë të parapara me Kodin e Procedurës Penale.
Si rrjedhojë e kësaj janë cenuar skajshëm të drejtat e garantuara me Kushtetutë, siç është e drejta e lirisë dhe sigurisë. Prandaj, presim vendimin nga gjykata”, tha ai.
Ai tha më tej se qenë e paqartë dhe e pakuptueshme kërkesa e prokurorisë për paraburgim.
“Edhe për mbrojtjen ka qenë e paqartë dhe e pakuptueshme kërkesa e Prokurorisë, ngase në të pretendohej se ekziston rreziku i ikjes. Çka do të thotë se Molliqaj të ikur jashtë Republikës së Kosovës, në mënyrë që t’i shmanget drejtësisë. Gjithashtu, është pretenduar që i njëjti ka qenë në arrati.
Siç keni parë në media dhe gjendja faktike është që Molliqaj asnjëherë nuk ka qenë në arrati. Thjesht nuk është bërë dorëzim i rregullt në bazë të mekanizmave, në bazë të procedurave ligjore”, ka deklaruar Rexha.
Partia Socialdemokrate ka kërkuar lirimin e Dardan Molliqajt. Ky i fundit është arrestuar për shkak se kishte goditur një polic gjatë protestës të së shtunës që u mbajt kundër propozimit për shtrenjtim e energjisë.
/5pyetjet.al