Tre persona janë arrestuar, mes tyre dy punonjës të OSHEE-së dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, një punonjës policie dhe kryeplaku i fshatit Ndroq në Tiranë pasi u zbulua një shtëpi bari. Brenda një shtëpie të marrë me qira u zbulua se ishte ndërtuar një impiant me llampa, laborator për kultivim kanabisi. Policia ndërhyri pas informacioneve në rrugë operative.
VIDEO
Të arrestuarit; Eriban Daja 29 vjeç për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim; Qemal Hasa 47 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Erion Mema 26 vjeç, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”. Gjithashtu u procedua penalisht kryeplaku i fshatit Pinet, Elez Kapllani 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjithashtu, nga ana e Drejtorisë Rajonale e AMP Tiranë u procedua në gjendje të lirë punonjësi i Policisë së Komisariati Nr. 6: Adrian Malliku 39 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet, në zonën e Ndroqit. Po në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, Rudina Xhambazi 32 vjeçe, e cila kishte marrë me qira këtë banesë. Sipas policisë, R. Xh., banesën e marrë me qira prej saj, së bashku me shtetasin E. D., i cili u kap në banesë gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim. Gjatë kontrollit të telefonit të E. M., iu gjetën programe për vendosjen e lotove sportive. Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.
/5pyetjet.al
Related