Zgjati 62 minuta telefonata midis Joe Biden dhe Vladimir Putin, sipas CNN telefonata ka filluar që në orën 11:00 dhe 12:02, por ende asgjë nga biseda nuk u bë e qartë në media.
Diskutimi mes dy liderëve erdhi disa orë pasi SHBA-ja zhvendosi disa nga forcat e saj nga Ukraina dhe urdhëroi evakuimin e pjesës më të madhe të stafit të ambasadës së saj të shtunën, pasi rriten frika se një pushtim rus i vendit mund të ndodhë në ditët e ardhshme.
E gjitha bota pret rezultatet e kësaj bisede teksa tensionet janë përshkallëzuar në maksimum në kufirin midis Rusisë dhe Ukrainës.
Më herët gjatë ditës, Departamenti Amerikan i Shtetit urdhëroi largimin e shumicës së punonjësve amerikanë nga ambasada e tij në Kiev, duke përmendur “kërcënimin e vazhdueshëm të veprimit ushtarak rus”.
Pentagoni gjithashtu tërhoqi 160 trajnerë ushtarakë nga Ukraina dhe i zhvendosi ata diku tjetër në Evropë, tha zëdhënësi John Kirby.
Ukraina është rrënuar nga konflikti në rajonet e saj lindore që nga marsi i vitit 2014 pas pushtimit rus dhe aneksimit të Krimesë. Moska kohët e fundit grumbulloi më shumë se 100,000 trupa pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.
Rusia ka mohuar se po përgatitet të pushtojë dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj nga zgjerimi i NATO-s drejt kufijve të saj. Kremlini lëshoi gjithashtu një listë të kërkesave të sigurisë për Perëndimin, duke përfshirë një kthim prapa të dislokimeve të trupave nga disa shtete ish-sovjetike dhe garanci që Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do të anëtarësohen në NATO.
Aleatët më të rëndësishëm perëndimorë janë konsultuar në një videokonferencë të premten për krizën e Ukrainës dhe kanë theksuar edhe njëherë vendosmërinë për sanksione të shpejta e të thella në rast të një sulmi rus në Ukrainë. Nga qarqet qeveritare gjermane bëhet e ditur, se gjendja vlerësohet nga Bashkimi Europian dhe NATO si “shumë, shumë serioze”. Të gjitha përpjekjet diplomatike synojnë që Moska të mos shkojë më tej me shkallëzimin e situatës. “Ajo që vlen është të ndalet një luftë në Europë”, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit pas përfundimit të lidhjes telefonike me krerëve perëndimorë.