Në një deklaratë për media Roland Bejko është shprehur se PD-ja ndërmori iniciativën për të riparë edhe njëherë Reformën Territoriale sipas reagimit dhe pakënaqësive që kanë banorët.
PD-ja ka ngritur 8 pika në bazë të cilave ajo pretendon se Reforma Territoriale pati ngërçe:
1. Synoi thellimin e decentralizimit. Por, koha tregoi se e thelloi edhe më shumë centralizimin. U rrit varësia dhe kontrolli nga qeveria qëndrore.
2. Synoi Subsidaritetin. Por e largoi edhe më shumë qytetarin nga pushteti dhe vendimmarrja.
3. Synoi vetëqeverisje lokale. Por, kryetarët e bashkive, nga njëra anë kanë më shumë përgjegjësi, por nga ana tjetër, kanë më pak kompetenca. (Për shërbimet e deleguara, vendosin ministritë)
4. Synoi decentralizimin fiskal. Por legjislacioni i ri (konkretisht Ligji “Për Financat Vendore” dhe Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”) nuk është harmonizuar me ligje te tjera ne vazhdim. Legjislacioni i ri nuk ka sjellë rritje të buxhetit të bashkive që ishte thelbi i decentralizimit. Niveli është pak a shumë i njëjtë si para reformës territoriale- administrative, pra nga buxheti qendror alokohet jo më pak se 1% e GDP-së që është niveli më i ulët rajonal.
5. Synoi simetri në ndarjen e territorit. Por, prodhoi asimetri demografike, ekonomike me kufijtë e bashkive. Në Veri amalgamim, në Jug fragmentarizim (Gati dy të tretat e bashkive janë ndarë sipas interesit elektoral dhe politik të Kryeministrit Rama dhe partisë së tij.)
U shkelën detyrimet kushtetuese dhe kriteri i popullsisë minimale, kriteri gjeo-kulturor, traditat historike administrative te zonave, etj.
6. Synoi demokraci lokale, transparencë, referendume etj. Por, i ka penguar me ligj referendumet lokale. Kjo është shkelje e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.
7. Shkrirja e komunave do sillte ulje te shpenzimeve duke reduktuar numrin e punonjësve. Por ky veprim e çoi nr. e tyre në gati 60 mijë, nga 22 mijë që ishte në 2015. Nr. i lartë i punonjësve rëndon buxhetin e bashkive. Gati 65-70% e grantit shkon për paga e shpenzime, rreth 30 % për investime. Reforma rriti koston për qytetarët, por jo cilësinë e shërbimeve.
8. Me bashkitë e mëdha synoi zhvillim ekonomik, bujqësor, barazi dhe cilësi në ofrimin e shërbimeve ne qytet, deri ne zonat me te thella të territorit të saj. Por, në fakt, pushteti vendor e ka përqendruar gjithë vëmendjen e saj kryesisht në qendra qytetesh. Për shkak të bashkimit të Bashkive dhe Komunave në një bashki të vetme, banorët e zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjell pasoja në jetën e tyre edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore. Këto politika të gabuara kanë nxitur braktisjen e fshatit, por edhe të ish periferive urbane me industri te falimentuar.
Gjithashtu ai njoftoi se PD-ja po ngre një grup pune që do të analizoi çdo aspekt të kësaj reformë, dhe bëri thirrje për dialog politikë për çështjen.