SPAK njoftoi sot se mbylli hetimet dhe çoi në gjyq 7 “kokat” e krimit për dy vrasjet e bujshme 17 vite më parë, të biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliut.
Të akuzuar janë;
Viktor Bajraktari (Imeraj)
Emiljano Shullazi
Indrit Taullai
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Rusi
Luftar Reçi
Por ku janë sot personat e akuzuar, kush është në qeli dhe kush në arrati?
Viktori Imeraj sot ndodhet pas hekurave. Viktor Ymeri konsiderohet si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë. Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar së bashku në qershor të vitit 1999 Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.
Tani Ymeri tashmë është pas hekurave edhe për dy vrasjet e bujshme, të biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliut. Emiljano Shullazi ndodhet pas hekurave prej disa vitesh i dënuar për gjobëvënie dhe disa vepra të tjera penale, së bashku me grupin e tij. Ish-anëtari i bandës së Durrësit, Indrit Taullai dy vite më parë u arrestua në Kosovë dhe u ekstradua në Shqipëri. Lulzim Berisha është në arrati.
Plaurent Dervishaj po ashtu është në arrati në Dubai, ku dështoi ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Indrit Rusi dhe Luftar Reçi ndodhen pas hekurave. Luftar Reçi ishte njeriu që zbërtheu dy vasjet e bujshme. Reçi në dëshmi është shprehur se minën e mori Indrit Taulllai dhe më pas dëgjoi se ishte vrarë Vajdin Lamaj. Në lidhje me këtë, Reçi shprehet se kishte telefonuar Lulzim Berishën, por ai i kishte thënë se për ngjarjen ka dijeni Indrit Taullai.
Reçi tregon se minën me telekomandë që u përgatit në një garazh e mori në dorë Emiljano Shullazi, i cili ishte bashkë me një vajzë. Sipas tij, Shullazi ishte brenda një makine me ngjyrë të errët, bashkë me një vajzë kur mori bombën. Reçi tregon po ashtu edhe për një episod, sipas të cilit Viktor Ymeri ishte mburrur në burg se “grupi i Emiljano Shullazit hapeshin kot me makina dhe femra të bukura dhe se nuk ishin për këtë punë, por vetëm për të vendosur gjoba, pasi personin që i vuri bombën Vajdin Lamajt e kishte gjetur ai nga qelia“.
Si ndodhi ekzekutimi i Vajdin Lames?
Shpërthimi i eksplozivit ndodhi rreth orës 1:30 pas mesnatës në 26 shkurt 2005, në pallatin ku banonte viktima. Eksplozivi ka shpërthyer pikërisht në momentin kur Vajdin Lamaj së bashku me një person tjetër, Dritan Arsi, ishin duke u ngjitur me ashensor. Nga shpërthimi i sasisë së eksplozivit të vendosur, në skenën e krimit ka mbetur i vdekur dhe shoqëruesi i Vajdin Lamajt, Dritan Arsi.
Sapo Lamaj dhe Arsi janë ngjitur në ashensor, ndërmjet katit të pestë dhe katit të gjashtë ka ndodhur shpërthimi i lëndës eksplozive, duke i lënë të dy personat të vdekur në vend. Sasia e eksplozivit ka qenë e madhe dhe bëhej fjalë për një eksploziv të cilësisë së lartë. Dy viktimat do të ngjiteshin në katin e tetë, ku kishte shtëpinë Lamaj. Ashensori në momentin e shpërthimit ka qenë në ngjitje dhe mendohet që shpërthimi të jetë realizuar me telekomandim nga distanca.
NJOFTIMI I PLOTE
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.252 të vitit 2020.
Në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim shtetasit:
- Viktor Bajraktari (Imeraj), i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2, 334/2 të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve” në formën e përdorimit, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal si edhe të veprës penale të “Futja, mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 324/a/2 i Kodit Penal.
- Emiljano Shullazi, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/1, 334/2 të Kodit Penal.
- Indrit Taullai, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2, 334/2 të Kodit Penal si dhe të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
- Lulzim Berisha, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78/2, 76/22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
- Plaurent Dervishaj, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
- Indrit Rusi, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
- Luftar Reçi, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2, 334/2 të Kodit Penal si dhe të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
Hetimet vazhdojnë në një procedim penal të ndarë në ngarkim të bashkëpunëtorëve në kryerjen e veprave penale etj.
/5pyetjet.al