Komisioni hetimor parlamentar për incineratorët dëgjoi sot dëshmitë e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, mbi procedurat e ndjekura për ndërtimin me koncension e incineratorit të mbetjeve urbane të kryeqytetit.
Zoti Veliaj tha se në mars të 2017 i është përgjigjur pozitivisht në emër të bashkisë një shkrese të ministrisë së mjedisit për lejen e ndërtimit të incineratorit, sipas një vendimi të këshillit bashkiak i kryeqytetit.
Ai tha se nuk ka folur në emër të Qarkut, por të bashkisë së Tiranës, dhe se përgjigje të ngjashme pozitive kanë dërguar edhe bashkitë e Vorës dhe Kavajës.
Por kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, tha se zoti Veliaj abuzoi duke cituar një vendim të këshillit bashkiak të shtator 2017, që nuk ka të bëjë me çështjen nën hetim dhe ka dalë 6 muaj më pas miratimit që ka dhënë kryetari i bashkisë.
Ajo tha se bashkia e Tiranës i dha 45 milionë euro shtesë koncensionarit të incineratorit të kryeqytetit si monopol për depozitimin e dherave.
Ndërsa zoti Veliaj theksoi se kjo ishte një marrëdhënie pune midis firmave private.
Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj dëshmoi dje në mbrëmje deri pas mesnate lidhur me procedurat për tre incineratorët, Tirana si koncension, ndërsa Fieri dhe Elbasani si Partneritet Publik Privat, duke hedhur poshtë pretendimet për shkelje ligjore.
Veliaj dhe Tabaku shkëmbyen gjithë kohës akuza të ndërsjellta për shpifje, gënjeshtra dhe shpërdorim të fakteve dhe dokumenteve të incineratorit.
Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj tha se përgjigjet e shkresave të tij ndaj ministrisë së mjedisit për një projekt-vendim si ministër i zhvillimit ekonomik janë burokraci, që nuk kanë shkaktuar vendime dhe pasoja financiare, sepse nuk kishte tagër të marrë studime apo vendime për investime të kësaj natyre.
“Ministria e zhvillimit nuk është nuk është autoritet kontraktues dhe as përgjegjëse për PPP dhe koncensione, por projekton politika zhvillimore. Shkresat e saj kanë zero pasoja në financa” – tha zëvendës kryeministri Ahmetaj.
Ish ministri i financave, Shkëlqim Cani, dëshmoi dje mbi nisjen e procedurave për incineratorin e Elbasanit.
Ministrja e infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku, dëshmoi pas tij mbi veprime dhe përgjegjësitë e institucionit për tre incineratorët.
Kryetari i bashkisë së Fierit ishte një tjetër dëshmitar, që shpjegoi mbi ndërrimin e vendit të incineratorit nga një tokë publike në një pronë private.
Komisioni po heton për dyshimet për korrupsion dhe shkelje ligjore me lejet dhe financimet e ndërtimit të tre incineratorët e mbetjeve në Elbasan Fier dhe Tiranë, procedura që kanë nisur 6 vjet më parë.
Në seancën e sotme pritet të dëshmojnë deputeti Alqi Bllako, ish ministri Damian Gjiknuri dhe sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë Engjëll Agaçi.
Kryeministri Edi Rama është po ashtu në listën e zyrtarëve të ftuar për të dëshmuar para komisionit.
Ai ka deklaruar se kushdo që mund të ketë abuzuar me fondet duhet të përgjigjet personalisht para hetuesve dhe se kushdo zyrtar i akuzuar ka një marrëdhënie personale me SPAK.
Ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, u arrestua për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe rryshfete 3.7 milionë euro gjatë procedurave për incineratorin e Elbasanit.