Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ka komentuar ngjarjet në Ukrainë dhe Rusi. Në një deklaratë të mbrëmshme ai ka krahasuar fjalimin e Putinit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare me atë të Millosheviçit në Fushë Kosovë më 89-ën dhe me të Hitlerit më 38-ën.
Ai ka thënë se është me rëndësi se çfarë mendimi krijon Kosova për këtë situatë.
“Situata e ka një dimension të brendshëm që ne duhet ta kuptojmë në thelb, si dështim i elitës brenda, por si dështim edhe i BE-së për ta afruar Ukrainën, tani e ka një dimension gjeopolitik kryekëput në pikëpamjen time, pushtues. Por, që ta kuptojnë qytetarët, ajo se çka tha Putini dje në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për mua ishte e barabartë me fjalimin e famshëm të Millosheviçit në Fushë Kosovë më 1989, apo me qasjen e Hitlerit në Çekosllovaki, sepse edhe Hitleri i ka pasur në Çekosllovaki gjermanë që i ka pasur si pretekst që ta pushtojë Çekosllovakinë më 1938. Për atë, janë ditë të vështira, të rënda për Evropën dhe është me rëndësi se çfarë mendimi krijojmë ne në Kosovë për situatën që po hyjmë dhe unë mendoj që tash e tutje duhet ta kemi një kornizë politike e cila e vlerëson e rivlerëson atë që po ndodhë sot në Ukrainë”, ka thënë Hoxhaj në Kanal10.