Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të përballen me rritjen e çmimit të bukës dhe të miellit. Këtë rritje tregtarët e arsyetojnë me faktin se është rritur çmimi i miellit. Ndërsa, përfaqësues të Federatës së Bujqve dhe njohës të fushës së bujqësisë po vlerësojnë se në rritjen e çmimit të bukës po ndikon kriza në Ukrainë dhe mungesa e prodhimit vendor. Ndërkaq, përfaqësues të Shoqatës së Mullixhinjve thonë se nuk ka vend për panik sepse në vend ka rezerva të mjaftueshme të grurit dhe miellit.
“Në dhjetor ka pasur rritje të çmimit të bukës dhe miellit dhe të gjithë artikujve ushqimore. Tani prapë u rrit çmimi i miellit dhe sa dola nga furra e pashë që ish shtrenjtuar prapë buka. Shumë problem për qytetarët rritja e çmimeve duke pasur parasysh që pagat janë shumë të ulëta”, tha një qytetare në Prishtinë.
Furrtari Urim Gegollaj në një përgjigje për Radio Kosovën tha se rritja e çmimit të bukës është e pashmangshme pasi është rritur çmimi i miellit.
“Po, është rritur çmimi i bukës, sepse deri tani 100 kg miell i kemi blerë me 40 euro, ndërsa prej mbrëmë, çmimi ishte rritur në 46 euro. U detyruam të marrim vendimin për rritjen e çmimit të bukës për pesë centë më qëllim që të shpëtojmë biznesin”, u shpreh Gegollaj.
Se çmimi i miellit do të vazhdojë të rritet edhe në ditët dhe muajt në vijim, e thotë edhe kryetari i Federatës se Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri. Ai po ashtu, tha se situata e krijuar në Ukrainë do të vështirësojë furnizimin e Kosovës me grurë se dhe kjo pritet të ndikojë në rritjen e çmimit. Ai shtoi se Kosova arrin t’i përmbush nevojat e tregut me grurë vetëm 30 për qind.









