Telekomi i Kosovës është në fazën e ristrukturimit dhe në këtë kuadër kompania do të ofrojë “paketa për largimin vullnetar nga puna” dhe pensione të parakohshme për punonjësit.
Drejtorja e komanduar e Telekomit, Burbuqe Hana, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar nëse do të ketë largime nga puna.
“Jemi në fazë të ristrukturimit të kompanisë. Nuk është që nuk do të largohen punëtorë nga puna por do të ofrojmë ‘pako vullnetare’ dhe pensione të parakohshme. Nëse nuk e shohim se kemi nevojë për vende të caktuara, do të jemi shumë transparent para punëtorëve… Në komision disiplinor kanë shkuar 150 punëtorë pasi që kanë qenë jashtë Kosovës, përmbi 20 u është shkëputur kontrata”, tha ajo.
Hana theksoi se ka ftuar Inspektoratin e Punës pasi ka hasur në raste kur është hapur konkurs për 30 persona ndërsa janë pranuar 90.
Ajo tha se në këtë kompani rroga mesatare është 750 euro.
“Unë ul rrogat aty ku ka nevojë… Paga mesatare në Telekomin e Kosovës është 750 euro. Krahasuar me nivelin e jetesës nuk është e madhe. Kemi për të ndryshuar komplet strukturën. Keqpërdorimet gjithmonë e kanë goditur punëtorin”, theksoi ajo.