Derisa tensionet në Ngushticën e Hormuzit po përshkallëzohen pas njoftimit të presidentit Donald Trump për “Projektin Freedom”, përpjekjet e reja për ta rikthyer qarkullimin e transportit tregtar detar po duken gjithnjë e më vështirë të arritshme.
Gjiganti i transportit detar, Maersk, tha se një nga anijet e tij e kaloi me sukses ngushticën më 4 maj nën mbrojtjen ushtarake amerikane, edhe pse rreziqet mbesin.
Mes pikëpyetjeve rreth mënyrës se si marina e SHBA-së do ta sigurojë trafikun detar nga kërcënimet e vazhdueshme dhe nëse qasja e tanishme mund ta parandalojë një konflikt më të gjerë, Radio Evropa e Lirë (REL) foli me zëvendësadmiralin në pension, Robert Murrett.
Ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës Gjeohapësinore dhe zyrtar i lartë i inteligjencës në Komandën e Forcave të Përbashkëta të SHBA-së, Murrett tani është profesor në Shkollën Maxwell të Qytetarisë dhe Çështjeve Publike në Universitetin Syracuse dhe zëvendësdrejtor i Institutit për Politikë të Sigurisë dhe Ligjit.
Radio Evropa e Lirë: Admiral, le të fillojmë me zhvillimet e fundit në Ngushticën e Hormuzit. Forcat amerikane thuhet se kanë shkatërruar anije iraniane dhe raketa që fluturonin drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa kemi një armëpushim që varet në fije të perit. Nga këndvështrimi juaj si ish-drejtues i NGA-së dhe role të tjera të larta të inteligjencës, a kemi kaluar tashmë pikën e një “paqeje të brishtë” dhe jemi praktikisht përsëri në konflikt?
Robert Murrett: Pyetje shumë e mirë. Do të thosha se kjo përfaqëson një rritje shumë të ndjeshme të nivelit të konfliktit atje. Lëvizjet që kanë ndodhur vetëm në 24 orët e fundit janë shumë shqetësuese, sepse paralajmërojnë zgjerimin e konfliktit. Sigurisht, për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe dy anijet që u sulmuan pranë tyre në anën tjetër të Ngushticës së Hormuzit janë pjesë e këtij shqetësimi. Por, edhe ndërveprimi që ndodhi në vetë Gjirin dhe disa nga sulmet në të dy drejtimet – përfshirë marinën tonë amerikane që fundosi… anije të vogla iraniane – na vendosin në një pozitë shumë kërcënuese.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti Donald Trump po prezanton “Projektin Freedom”, por pa përcjellje të plotë detare. Ju keni thënë se ditët e para janë kritike. A është ky plan lëvizje stabilizuese?
Robert Murrett: Do të thosha se çdo gjë që mund ta bëjmë për ta hapur dhe garantuar transitin e lirë dhe lirinë e lundrimit – siç e shohim ne në marinë – përmes Ngushticës së Hormuzit, vlen të eksplorohet. Ideja për ta bërë këtë pa ndonjë marrëveshje nga pala iraniane është mjaft sfiduese, bazuar në gjeografinë detare, sa e ngushtë është ngushtica, por edhe opsionet që ka Irani për sulme të konsiderueshme, veçanërisht me anije më të vogla, mjete ajrore pa pilot, mjete sipërfaqësore pa pilot dhe madje, potencialisht, platforma nënujore pa pilot.
Pra, nga një këndvështrim taktik dhe detar, është e vështirë. Por, çdo gjë që mund të bëjmë për të hapur lundrimin e lirë sa më shpejt që të jetë e mundur, padyshim vlen të bëhet.
Sfidat taktike
Radio Evropa e Lirë: Le ta shtjellojmë këtë. Si duket një operacion real i përcjelljes së anijeve nga marina e SHBA-së përballë zjarrit? Si do të ndryshonte nga ajo që po tentohet tani?
Robert Murrett: Ka mënyra të ndryshme për ta bërë këtë, dhe bazuar në atë që ka ndodhur sot, ka pasur qartazi një theks mbi asetet ajrore në vend të eskortave në afërsi të drejtpërdrejtë. Për shembull, njoftimi nga Shtëpia e Bardhë tregoi për drejtimin e anijeve përmes një zone shtesë të sigurisë më afër hyrjeve jugore pranë Omanit. Por, pika që do të theksoja është se nuk duhet të jesh në afërsi të drejtpërdrejtë me anijet që eskortohen për të ofruar siguri.
Sulmet që pamë sot përfshinin helikopterë, dhe jam i sigurt që ka edhe avionë të tjerë që ofrojnë mbulim. Nëse shikoni disa nga hartat operacionale të Pentagonit, shumë nga anijet e përfshira janë në fakt jashtë ngushticës, pra disa në Gjirin e Omanit dhe madje në Detin Arabik verior. Pra, është një situatë e ndërlikuar taktike, por përfundimi është se siguria mund të ofrohet nga distanca, veçanërisht me mbulim të fortë ajror, që është komponent kyç.
Radio Evropa e Lirë: Komanda Qendrore e SHBA-së, nën admiralin Brad Cooper, thotë se forcat amerikane po reagojnë në mënyrë mbrojtëse: “qëllojnë nëse qëllohet ndaj tyre”. Në një korridor kaq të mbushur, a është kjo e qëndrueshme?
Robert Murrett: Varet se si e përkufizon mbrojtjen. Mendoj se admirali Cooper po bën një punë të shkëlqyer dhe kam shumë besim në punën që po bën Flota e Pestë e SHBA-së. Megjithatë, është sfidë e madhe. Ka lloje të ndryshme operacionesh mbrojtëse, përfshirë atë që ne e quajmë “mbrojtje aktive”. Kjo hyn në një zonë gri. Përballesh me objektiva kërcënues, në sipërfaqe, në ajër ose potencialisht nën ujë, dhe mund të detyrohesh të angazhohesh nga një këndvështrim mbrojtës edhe nëse ato nuk janë kërcënim i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë.
Një pikë tjetër kyç është sfida e mbrojtjes së anijeve tregtare. Ato lëvizin kryesisht ngadalë dhe sigurimi i besimit të kapitenëve dhe, ç’është me rëndësi, i kompanive të sigurimit është diçka që ende nuk e kemi arritur. Shumica e kompanive të sigurimit ende nuk janë të gatshëm të ofrojnë mbulim për kalime përmes ngushticës, dhe kjo është pengesë e madhe.
Radio Evropa e Lirë: Ju theksuat të panjohurat. Cila ju shqetëson më shumë sonte: gabimi në llogaritje, përshkallëzimi apo paraliza ekonomike?
Robert Murrett: Shqetësimi më i madh do të ishte përshkallëzimi i plotë, diçka që e përdor këtë moment si pikënisje dhe e anulon plotësisht armëpushimin që është në fuqi tani. Kjo mund ta zgjerojë konfliktin përtej Ngushticës së Hormuzit dhe ta rrisë ndjeshëm intensitetin e tij./ REL









