-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Skema: Si Rama mund të zbusë (nëse do) rritjen e çmimit të naftës pa ulur buxhetin

Kryesoret

Çmimi i naftës në Tiranë arriti në 210 lekë për litër për shkak të trazirave në tregun ndërkombëtar. Megjithatë, taksat mbi naftën janë përgjegjëse për dy të tretat e rritjes së çmimit dhe qeveria e Edi Ramës e ka në dorë që t’u heqë shqiptarëve pjesën më të madhe të rritjes së çmimit, pa pësuar rënie në të ardhurat buxhetore.

Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar u rrit në 115 dollarë për fuçi gjatë ditëve të fundit ndërsa bota përballet me krizën më të vështirë të shumë dekadave, luftën në Ukrainë dhe nevojën për të izoluar ekonomikisht Rusinë, vendin me ekonominë e njëmbëdhjetë më të madhe në planet. Siç duken punët, kriza ka gjasa do të vijojë gjatë dhe çmimet e naftës, (Rusia zë 10% të prodhimit botëror të naftës), do të vijojnë të rriten apo do të qëndrojnë në nivele të larta edhe për shumë kohë.

Në Tiranë, të premten çmimi i naftës arriti në 210 lekë për litër, për herë të parë në historinë e vendit. Pasojat ekonomike të një inflacionimi të tillë të një produkti kyç si nafta janë të shumëfishta. Njëra anë është rritja e përgjithshme e çmimeve në produktet e tjera, ndërsa ana tjetër është një fenomen i identifikuar fillimisht në vitet 1970, gjatë një krize të mëparshme të çmimeve të naftës.

Quhet stragflacion dhe nënkupton situatën kur, njerëzit, të detyruar të rezervojnë më shumë buxhet personal për të paguar naftën, detyrohen të kursejnë në mallra e shërbime të tjera, gjë që e vë ekonominë njëkohësisht në gjendjen e rritjes së çmimeve dhe gjithashtu, në ngërç në prodhim, në stanjacion ose në rritje të ngadaltë të prodhimit, për shkak se njerëzit kursejnë për mallra e shërbime të tjera.

Fjala vjen, nëse një qytetar shkon një fundjavë në plazh, për shkak se i duhet të ndajë mënjanë më shumë para për naftën, i kursen vetes një drekë në restorant, duke sjellë më pak para për restorantin, kamerierin, peshkatarin apo fermerin e zarzavateve.

Për shkak se kriza është në Rusi, duket se shqiptarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të durojnë. Por ama ka diçka që, ndonëse nuk e kompenson tërësisht rritjen e çmimit të naftës, mund ta zbusë rritjen në pjesën më të madhe të saj. Ky mekanizëm është politika fiskale dhe, nëse përdoret siç duhet, mund të pakësojë barrën e çmimit të lartë të naftës te qytetarët pa shkaktuar rënie në të ardhurat buxhetore.

Aktualisht, çmimi i naftës në Shqipëri është rritur kaq shumë jo se çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar është rritur në rekord historik, por për shkak se taksat në Shqipëri janë rritur në rekord historik.

Për shembull, në vitin 2008, çmimi i naftës në bursën e Londrës ishte 140 dollarë për fuçi ndërsa në Shqipëri, çmimi i naftës ishte 170 lekë për litër. Sot, ndonëse çmimi i naftës në treg ndërkombëtar vijon të jetë më poshtë se sa rekordi historik, çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 210 lekë për litër dhe ka gjasa do të rritet akoma më tej.

Shkaku për këtë situatë është që, gjatë viteve 2014-2017, ndërsa çmimi i naftës në treg ndërkombëtar ra në 30 apo 40 USD për fuçi, taksat në Shqipëri mbi karburantet, të vendosura nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, u rritën vazhdimisht dhe vazhdimisht. Taksa e parapëlqyer për t’u rritur nga qeveria quhet taksa e qarkullimit, e cila mbahet në lekë për litër nafte të importuar apo të prodhuar në vend. Në vitin 2013, kjo taksë ishte 7 lekë për litër ndërsa aktualisht është 27 lekë për litër. Barra e përgjithshme e taksave mbi karburantin u rrit nga afërsisht 60 lekë për litër në vitin 2010, në rreth 100 lekë për litër para se të fillonte kriza aktuale.

Jo të gjithë humbasin para nga rritja e çmimit të naftës. Qeveria, e cila takson me Tatim mbi Vlerën e Shtuar çdo litër naftë dhe të gjitha taksat e paguara për çdo litër naftë, ka gjasa do të arkëtojë miliona dhe dhjetëramiliona euro më shumë si pasojë e rritjes së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Duke qenë se taksat mbi naftën rriten pothuajse në proporcion me rritjen e çmimit të naftës, atëherë një rritje me, fjala vjen, 30% e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar do t’i japë qeverisë një rritje në të ardhura afërsisht 30%.

Qeveria ka gjithashtu në dorë që t’i ulë taksat mbi karburantet, në mënyrë që një rritje çmimi në tregun ndërkombëtar me 30% të reflektohet në tregun shqiptar me një rritje të çmimit final me 10 apo 15%. Kjo natyrisht që nuk do të shkaktojë rënie të të ardhurave të qeverisë, por ama do t’i kursejë qytetarëve shuma të konsiderueshme parash, të cilat, këta të fyndit, do të kenë mundësinë t’i shpenzojnë në mallra dhe shërbime të tjera, me qëllim që dëmi i përgjithshëm në ekonomi nga stragflacioni, të jetë më i paktë.

Qeveria e ka jashtëzakonisht shumë të thjeshtë këtë punë: mjafton që të ngrejë kartonat në parlament dhe të fillojë të taksojë më pak importet e naftës për muajin pasardhës, me dakordësinë që, nëse çmimet rriten më tej, barra mbi karburantet të mbahet konstante./ BIRN

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit