Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka biseduar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ta njoftuar atë lidhur me bisedën telefonike që ka zhvilluar më herët gjatë të dielës me presidentin rus, Vladimir Putin, njoftoi Pallati Elize.
“Presidenti Macron bisedoi me presidentin Zelensky lidhur me bisedën që pati sot me Putinin, gjatë së cilës, ky i fundit dha pajtimin e tij se duhet të ndërmerren përpjekje të përbashkëta në bazë të rekomandimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore për të garantuar siguri të centraleve bërthamore në Ukrainë”, u tha në deklaratën e Presidencës franceze.
Gjatë bisedës me Putinin, Macron kishte shprehur shqetësimin e tij lidhur me sigurinë e centraleve bërthamore, pasi trupat ruse sulmuan centralin në Zaporizhja dhe e morën atë nën kontroll më herët gjatë kësaj jave.
Në bisedën me Zelenskyn, Macron po ashtu ka thënë se është e nevojshme që të shmanget çdo sulm ndaj centraleve bërthamore të Ukrainës.
Ai po ashtu ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën sa i përket situatës humanitare, teksa Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 1.5 milion ukrainas janë larguar nga shteti që prej se ka nisur pushtimi rus më 24 shkurt.