Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot përmes një shkrimi në “Facebook”, përshëndeti aksionin e përbashkët të Inspektoratit Policior të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Në të kaluarën institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nuk i janë lënë duart e lira për veprim. Në shumë raste ekzekutivi ka qenë pengesa kryesore në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sot, kemi ende sfida mirëpo kemi vullnetin e hekurt për ta bërë vendin e jetueshëm për qytetarët”, tha ajo.
Haxhiu tha se mbështetja e Qeverisë së Kosovës në raste të tilla është e parezervë!
Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale kreu operacionin në Gjakovë dhe Prizren. IPK ka raportuar se pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra policë dhe disa doganierë.