Një dalldi triumfalizmi në kufijtë e revanshit ka pushtuar mbështetësit e Sali Berishës. Kjo dallgë shpërtheu duke u gdhirë shtatë marsi dhe ka vazhduar me intensitet të ngritur për dy javë rresht deri në momentin kur Lulëzim Basha shpalli dorëheqjen. Tani të gjithë bëjnë llogaritë si do jetë e ardhmja e PD.
Për një mijë e një arsye pasuesit e Berishës janë në të drejtën e delirit të tyre. Arritën të largojnë njeriun që nuk kishte mudur ti nxirte fitues përballë qeverisë së Ramës, atë që e shikonin si bartës të vesit më të madh njerëzor, mosmirënjohjes. Ende ju dhembin plagët nga përleshja mesjetare majë bedenave të Shqupit. Sytë e përlotur nga gazi lakrimogjen, portreti thuajse i mbuluar nga një kundragaz I një burri në moshë të tretë që çapitej kuturu mbuluar me një pallto kashmiri të katandisur si një rreckë Gabi nga përleshja fizike e asaj dite janë tronditëse për këdo. Mbi të gjitha janë imazhi më domethnës i 30 viteve tranzicion shqiptar, janë dilema hamletiane në të cilën ndodhet opozita shqiptare. Megjithatë në më pak se tre muaj Berisha dhe të vetët duket se fituan dinjitetin. Triumfuan mbi Bashën. Arritën ta nxjerrin nga zyra.
Por në PD tani duhen bërë llogari të tjera. Fitorja e tyre do kishte vlerë jo vetëm për shqiptaët por dhe për ata vetë nëse do arrijnë të mundin Ramën. Për të arritur në këtë pikë ju duhet një analizë e ftohtë. Gjithçka duhet të nisë duke pranuar “mëkatin fillestar”. Kaosi në PD nuk i ka rrënjët në 9 shtator kur Basha vendosi të pezullojë Berishën. Shkaku duhet kërkuar nëntë vjet më parë kur Berisha e vuri gati me përdhunë Bashën në krye të partisë. Berisha duhet të ketë guximin tia pohojë qoftë dhe vetëm subkoshiencës së tij thënien popullore: atë që ta bën fëmija nuk ta bën as perëndia.
Zgjedhjet e 6 marsit dëshmuan se nuk ka zgjidhje në opozitë duke përjashtuar Berishën. Madje ai është vetë zgjidhja. Nga kjo premisë duhen bërë të gjitha llogaritë. Basha nuk arriti të bëhej lider pavarësisht dozave pa fund të kortizonit politik që i injektojë meceni I tij për tetë vjet rresht. Ai mund të konsiderohet si I vonuari I madh. Të gjitha vendimet, absolutisht të gjitha vendimet e tij politike, i ka marrë me vonesë. Kurrë nuk I parapriu ngjarjeve çka bën rëndom një lider. Gjithnjë ka luajtur me truke të vogla i detyruar nga rrethanat. Tejet e vonuar është dhe dorëheqja e tij. Kjo vonesë ka pasoja si për karrierën e tij ashtu dhe për PD.
Tani në PD është momenti të lihen mënjanë emocionet. Ato vlejnë vetëm në stadium. Politika është biznes dhe luhet me arsye. Berisha duket se kërkon të bashkojë PD dhe gjithë opozitën. Lëvizja e fundit e Bashës është ende e paqartë tërësisht. Ka shumë që besojnë se ai bëri trukun e rradhës, një tërheqje të përkohshme taktike për tu rikthyer sërsh në krye të PD. Kjo mund të përbëjë një skepticizëm prej shën Kozmai. Megjithatë kërkesa e pasuesve të Bashës në formë kushti që dhe Berisha të tërhiqet duket e pakuptimitë. Pas poshtërimit elektoral të dy javëve më parë, Bashka nuk e ka luksin të marrë poza heroike a la Zelenski. Do ishte sërish I gabuar nëse shpreson se mund ta shmangë bashkimin e opozitës duke u mbyllur në bunkerin e Shqupit. Jorida Tabaku nuk është Magda Goebels.
Deklaratat emocionale të pasuesve të Berishës mund të përbjë gjithashtu një problem. Bashkimi si parakusht i fitores arrihet vetëm në një rrethanë: kur të gjithë nuk kanë përse të kenë frikë nga bashkimi.
Tashmë për të gjithë është e qartë se Basha është pakicë në opozitë. Opozitën e kontrollon Berisha. Dilema është nëse ish-kryeministri I shpallur non grata nga SHBA mund ta rrëzjë Edi Ramën nga pushteti. Por kjo dilemë nuk duhet të përbëjë kusht për bashkimin. Askush nuk ka të drejtën ti kërkojë Berishës të mos kandidojë për kryetar të PD. Vota dhe vetëm vota i jep fund krizës në PD. Në 6 mars u dëshmua se çelësin e zgjidhjes së saj e ka Berisha. Të presim si do ta përdorë. Duhen dhe tre plot tre vjet deri ne zgjedhje. Ka boll kohë si për bashkimin e PD dhe për krijimin e një opozitë te re që nuk do ketë lidhje me rrënojat e luftës civile të PD.