Seanca e sotme parlamentare pritet të ketë debate të shumta, pasi sot për 3 orë rresht do të ketë një mocion me debat lidhur me rritjen e çmimeve. Ky mocion me debat është thirrur nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar demokrat.
Ndërkohë në rend dite është interpelanca e thirrur nga një grup deputetësh më kryeministrin Edi Rama, por nuk dihet nëse do të zhvillohet, pasi ai është nisur drejt Brukselit ku pritet të zhvillohet samiti i NATO-s, e ku do të flitet për luftën në Ukrainë. Nuk dihet nëse këtë interpelancë, ia ka deleguar Elisa Spiropalit.
Nga ana tjetër në interpelancë është thirrur edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga 2 deputetët e grupit të Berishës, Albana Vokshi dhe Flamur Noka.