Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pak para samitit të sotëm ka mbajtur një deklaratë për mediat.
Ai është shprehur se aleatët kanë ofruar mbështetje për Ukrainën që të ndihmojnë “të drejtën e saj themelore për mbrojtje”, por përsëri nënvizon se detyra kryesore e aleancës ushtarake është mbrojtja e anëtarëve të NATO-s.
Për shkak se Ukraina nuk është anëtare, aleanca nuk po dërgon trupa në vend, megjithëse po rrit praninë e saj ushtarake në vendet fqinje të NATO-s.
Stoltenberg tha se udhëheqësit e NATO-s do të flasin sot për një “rivendosje për parandalimin dhe mbrojtjen tonë në një afat më të gjatë”.
“Hapi i parë është krijimi i katër grupeve të reja beteje në pjesën lindore të aleancës, në Bullgari, Rumani, Hungari dhe Sllovaki”.
Stoltenberg theksoi se presidenti i Ukrainës Zelensky do t’u drejtohet sot liderëve të NATO-s. Ai thekson nevojën që anëtarët e aleancës ta trajtojnë krizën së bashku.