Libri i botuar në vitin 1919 mbi “Pasojat ekonomike të paqes” [The Economic Consequences of Peace] nuk është pikënisja për të kuptuar pasojat ekonomike të luftës aktuale në Ukrainë. Megjithatë, ia vlen të marrësh pak kohë për të lexuar përshkrimin e famshëm të John Maynard Keynes, i cili i referohet jetës së rehatshme të një londinezi të klasës së mesme të lartë në vitin 1913, pak kohë përpara se Lufta e Madhe të ndryshonte gjithçka.
“Një banor i Londrës [në vitin 1913] mund të porosiste me telefon, duke pirë çajin e mëngjesit në shtrat, produkte të ndryshme nga e gjithë bota, në sasinë që dëshironte, dhe mund të priste mbërritjen e tyre në një kohë të arsyeshme te pragu i shtëpisë së tij; në të njëjtin ҫast dhe duke përdorur të njëjtat mjete, ai mund të investonte pasurinë e tij te burimet natyrore dhe te ndërmarrjet e reja në çdo cep të botës, dhe të përfitonte, pa u sforcuar fare dhe pa ndonjë problem, nga frytet dhe avantazhet e mundshme që do të vinin nga këto investime.”
Keynes më pas përshkruan mënyrën se si ky londinez mund të spekulonte në tregje dhe të udhëtonte kudo që dëshironte, pa pasaportë dhe pa e vrarë mendjen për këmbimin e monedhës (standardi i arit nënkuptonte se paratë e tij kishin vlerë kudo). Dhe më pas, ekonomisti i famshëm jep goditjen e fundit, duke u futur brenda kokës së këtij londinezi të privilegjuar:
“[Londinezi] i konsideron këto kushte si normale, të sigurta dhe të përhershme, përveçse kur bëhet fjalë për përmirësime të mëtejshëme, dhe çdo devijim nga kjo gjendje i duket i pahijshëm, skandaloz dhe i shmangshëm. Projektet dhe politikat e militarizmit dhe të imperializmit, të rivaliteteve racore dhe kulturore, të monopoleve, kufizimeve dhe përjashtimeve, që kontribuonin si gjarpërinj për ruajtjen e kësaj parajse, nuk ishin gjë tjetër veҫse argëtimet e gazetës së tij të përditshme dhe dukej se nuk ushtronin pothuajse asnjë ndikim në rrjedhën e zakonshme të jetës shoqërore dhe ekonomike, ndërkombëtarizimi i së cilës ishte arritur pothuajse plotësisht në praktikë.”
Britaniku kozmopolit i Keynes, tërësisht i pavetëdijshëm se epoka e parë e madhe e globalizimit ishte gati të bëhej copë e ҫikë në Betejën e Somme, është varianti urban i pasanikëve ekstravagantë në “Gosford Park”, filmin e Robert Altman që flet për një fundjavë në një shtëpi të madhe në fshat, përpara shpërthimit të luftës. Njëri prej nesh zotëron një fotografi të Bullingdon, klubit më elegant të ngrënies në Oksford, e cila i përket vitit 1913: Sundimtarët e ardhshëm të botës na vështrojnë me një arrogancë të ngrirë. Brenda një viti, shumica e tyre do të ishin në llogore.
Aristokratët ekstravagantë nuk ishin të vetmit të vetëkënaqur nga kjo gjendje. Edhe intelektualët ishin dakord me të. “Iluzioni i Madh” [The Great Illusion] i Norman Angell, bestselleri Eduardian i botuar në vitin 1909, argumentonte se lufta ishte e pamundur, duke pasur parasysh se sa e ndërlidhur ishte bota. Bizneset e mëdha të Europës dhe të SHBA-së operonin po me këtë pikëpamje. Epoka e parë e madhe e globalizimit, e cila filloi në vitet 1860, u mbështet nga fuqia britanike dhe u koordinua nga shteti britanik, i kishte dhënë mundësi klasave komerciale që të fitonin para – biznesmenët atëherë kishin shumë më pak barriera sesa binesmenët modernë, kur bëhet fjalë për lëvizjen e parave, të mallrave ose të njerëzve në mbarë botën.
Është e lehtë të qeshësh me dritëshkurtësinë e klasës sunduese të Perëndimit në vitin 1913 – për faktin se nuk arritën të shikonin sesi ngritja e Gjermanisë dhe rrjeti kompleks i aleancave midis Fuqive të Mëdha mund ta kthenin një atentat në Sarajevë në një konflikt global. Është gjithmonë e lehtë të kuptosh se ҫfarë duhej bërë ndryshe pasi ngjarja ka ndodhur, por brezat e ardhshëm mund të bëjnë të njëjtën pyetje për ne: Si mund të mos e dinin këtë?
Londinezi i Keynes, i shtrirë në shtratin e tij, e kishte të paktën këtë justifikim: Fundi i epokës së tij të globalizimit erdhi pa ndonjë paralajmërim. Në rastin tonë, globalizimi ka qenë nën sulme të vazhdueshme për dy dekada me radhë, pas akteve terroriste të vitit 2001 (kur dy avionë, mjete që njihen edhe si simbole të modernitetit, u përplasën në Qendrën Tregtare Botërore); vitit 2008 (kur Lehman Brothers shkoi në kolaps dhe sistemi financiar global kaloi në arrest kardiak); dhe viti 2016 (kur britanikët votuan për të lënë zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë dhe amerikanët zgjodhën një personalitet televiziv nativist për president). “Shkëputja” e ekonomisë globale në pjesën kineze dhe pjesën perëndimore ka ardhur duke u rritur për shumë kohë. Dhe, drama më e madhe përpara Ukrainës ishte një virus që ngriu zinxhirët e furnizimit dhe e detyroi të gjithë botën të binte në letargji.
E megjithatë, në fillim të vitit 2022, shumë prej nesh ndanin të njëjtat supozime me ato të londinezit të Keynes. Ne porosisnim produkte ekzotike me bindjen se Amazon do të na i sillte ato deri te dyert tona ditën e nesërme. Ne investonim në aksionet e tregjeve në zhvillim, blenim Bitcoin dhe bisedonim me njerëzit në anën tjetër të botës përmes platformës Zoom. Shumë prej nesh po e harronin Covid-19, duke e konsideruar atë një pezullim të përkohshëm të stilit tonë të jetesës globale. “Projektet dhe politikat e militarizmit” të Vladimir Putinit dukeshin si diversione në zonat më të ҫmendura të sferës së Twitter-it.
Tani që jemi tronditur nga gjumi jonë, e gjithë vëmendja është drejtuar te gjakderdhja në Ukrainë, dhe me të drejtë. Por, ashtu si dhe Lufta e Parë Botërore, e cila kishte rëndësi për arsye që shkojnë përtej masakrës së miliona qenieve njerëzore, ky konflikt mund të shënojë një ndryshim afatgjatë në mënyrën se si funksionon ekonomia botërore dhe në mënyrën se si ne të gjithë e jetojmë jetën tonë, sado larg të jemi nga masakra që po ndodh në Europën Lindore. Integrimi “i pashmangshëm” i ekonomisë botërore është ngadalësuar, ndërsa gjarpërinjtë e ndryshëm të parajsës sonë – që nga rivalitetet etnike, tek autokracitë e zemëruara, e deri te një furi e përgjithshme ndaj të pasurve – po depërtojnë ku të duan.
Kjo nuk do të thotë se globalizimi është një e mirë e pastër. Për vetë nga natyra e tij, liberalizmi ekonomik ekzagjeron anët negative të kapitalizmit, si dhe anët e tij pozitive: pabarazia bëhet më e madhe, kompanitë shkëputin rrënjët e tyre lokale, humbësit mbeten akoma më mbrapa dhe, në mungesë të rregullave globale, problemet mjedisore shumëfishohen. Megjithatë, liberalizmi gjithashtu ka nxjerrë më shumë se një miliard njerëz nga varfëria gjatë tre dekadave të fundit dhe, në shumë raste, ka promovuar lirinë politike së bashku me lirinë ekonomike. Alternativat e tij, bazuar te historia, kanë qenë të mjerueshme. Tani për tani, rezultati drejt të cilit jemi duke shkuar është ai në të cilin Lindja autokratike sa vjen e largohet gradualisht nga Perëndimi demokratik, por i ndarë (dhe potencialisht e tejkalon atë).
Nga kjo perspektivë, përgjigjja ndaj problemeve të globalizimit nuk është braktisja e liberalizmit ekonomik, por ridizenjimi i tij. Dhe javët e ardhshme ofrojnë një mundësi të artë për të ridizenjuar rendin ekonomik global.
Bazuar te çdo indikator ekonomik, Perëndimi është dukshëm më i fuqishëm se Lindja, nëse i përdorim termat “Perëndim” dhe “Lindje” për të nënkuptuar aleancat politike, jo thjesht rajonet gjeografike. SHBA dhe aleatët e saj përbëjnë 60% të prodhimit të brendshëm bruto në rang global bazuar te kursi aktual i këmbimit, ndërsa Kina, Rusia dhe autokracitë e tjera arrijnë vetëm një të tretën e kësaj. Dhe për herë të parë në vite, Perëndimi po bashkohet në vend që të ndahet. Këtë javë, Joe Biden po udhëton drejt Europës si udhëheqësi i botës së lirë të sapobashkuar dhe të ripërtërirë.
Deri më tani, pavarësisht fjalëve të tij për bashkimin e demokracive, Biden ka bërë shumë pak për të theksuar, e jo më për të avancuar, dimensionin ekonomik të lirisë. Pyetja për Biden dhe për udhëheqësit europianë me të cilët ai do të takohet këtë javë është e thjeshtë: Çfarë lloj bote duan të ndërtojnë ata në të ardhmen? Ukraina mund të shënojë fare mirë fundin e një episodi të madh në historinë e njerëzimit. Mund të jetë gjithashtu koha që bota e lirë të bashkohet dhe të krijojë një botë tjetër, më të bashkuar, më të ndërlidhur dhe më të qëndrueshme se kurrë më parë. Për të shfrytëzuar këtë mundësi, duhet kuptuar fillimisht ekonomia dhe historia.
Mënyra se si ishim
Fundi i epokës së kaluar globale ishte tepër brutal. Edhe kur masakra sapo kishte filluar në Flanders, tregtarët britanikë, me një humor të bukur stoik, shfaqën tabela kur filloi lufta ku shkruhej “Biznesi vazhdon si zakonisht ndërkohë që bëhen ndryshime në hartën e Europës”. Por, me sa duket, nuk ishte ashtu. Zjarri i luftës shumë shpejt ndaloi tregtinë, flukset e kapitalit dhe lëvizjen e njerëzve. Qeveritë ndërhynë tek ekonomia më shumë se kurrë më parë. Kur armët më në fund u ulën në vitin 1918 pasi Gjermanisë iu imponua paqja në Versajë (në termat kartagjenas që Keynes i përshkroi me aq elokuencë), udhëheqësit Biden, Johnson dhe Macron të asaj kohe u përpoqën të rivendosnin rendin e vjetër botëror të tregtisë së lirë dhe të harmonisë liberale – dhe dështuan totalisht për ta bërë këtë.
Superfuqia e re, Amerika, refuzoi të bëhej mbrojtësja e atij besimi që Britania e Madhe e kishte mbrojtur me kaq mjeshtëri deri në vitin 1913. Politikat e tarifave tregtare që dëmtonin vendet e tjera ngadalësuan ritmin e ekonomisë botërore dhe sollën në përfundim Depresionin e Madh, me tregtinë globale e cila u tkurr më shumë se përgjysmë në periudhën e viteve 1928-1933. Gjarpërinjtë vazhduan të përfitonin nga situata: Lenini, Musolini dhe Hitleri shfrytëzuan disfatën dhe varfërinë për të krijuar regjime agresive anti-liberale, me versionin sovjetik i cili zgjati për plot shtatë dekada. Kushtet për ekonominë liberale ishin aq të zymta sa, nga mesi i viteve 1930, vetë Keynes e kishte braktisur liberalizmin e tregut të lirë, duke e konsideruar atë një kauzë të humbur, dhe po bënte fushatë për vetë-mjaftueshmërinë kombëtare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, integrimi ekonomik rifilloi përparimin e tij, por kjo ndodhi vetëm në gjysmën perëndimore të hartës së botës. Ajo që shumica prej nesh sot e quajnë si globalizim filloi vetëm në vitet 1980, me ardhjen e filozofive të Thatcher dhe të Reagan, me rënien e Murit të Berlinit, me riintegrimin e Kinës në ekonominë botërore dhe, në vitin 1992, me krijimin e tregut të përbashkët europian.
Megjithatë, sapo politikanët i hapën rrugën, globalizimi u përshpejtua akoma më tepër, duke u nxitur nga teknologjia dhe nga tregtia. U ngritën kompanitë e reja të teknologjisë, si Microsoft Corp. dhe Apple Inc., ndërsa kompanitë e vjetra të teknologjisë, të tilla si Nokia Oyj, një prodhues finlandez i çizmeve të gomës dhe i produkteve të elektronikës, i cili deri në vitin 2010 ishte prodhuesi më i madh në botë i telefonave celularë, patën një mundësi të re për t’u ribërë të suksesshme. McDonald’s Corp. hapi restorante në sheshin Pushkin të Moskës në janar të vitit 1990 dhe më pas në sheshin Tiananmen të Pekinit në prill të vitit 1992. Ndërkohë që po fillonte shekulli i ri dhe një burokrat i panjohur “properëndimor” i quajtur Vladimir Putin erdhi në pushtet në Rusi, volumi ditor i transaksioneve në valutë arriti shifrën 15 trilion dollarë.
Kohët e fundit, teksa janë shtuar sulmet ndaj globalizimit, integrimi ekonomik është ngadalësuar dhe, në disa raste, ka shkuar në drejtim të kundërt.
Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia shënon një sulm më të madh dhe më përfundimtar se ato të mëparshmet.
Kjo pjesërisht sepse prishja e menjëhershme e harmonisë ishte kaq e egër. Furnizimi me produktet bazë, që nga gruri e deri te nikeli, titani dhe nafta, është ndërprerë. Perëndimi po bën gjithçka që mundet për të përjashtuar Rusinë nga sistemi ekonomik global, duke sanksionuar oligarkët, duke përjashtuar bankat ruse nga mekanizmi financiar global, si dhe duke penguar bankën qendrore të Rusisë që të aksesojë rezervat e saj. Flitet gjithashtu edhe për largimin e Rusisë nga Organizata Botërore e Tregtisë.
Edhe kur nuk janë të detyruara që ta bëjnë këtë me ligj, kompanitë perëndimore po bojkotojnë Rusinë dhe po ndërpresin operacionet e tyre në këtë vend. Konsumatorët rusë nuk mund të përdorin më Visa, MasterCard dhe American Express. McDonald’s i cili ndodhej në Sheshin Pushkin, tashmë është mbyllur, së bashku me 850 degë të tjera. Në mediat sociale janë shfaqur foto të rusëve që qëndrojnë në radhë të pafundme për të blerë sheqer dhe ushqime të tjera bazike, ose përndryshe do të luftojnë për ato që kanë mbetur, ashtu siç bënin në kohën sovjetike. Nga ana e tij, Kremlini është kundërpërgjigjur duke bllokuar aksesin te Facebook dhe duke kërcënuar se do të burgosë ose gjobisë këdo që dyshohet për përhapjen e lajmeve “të rreme”, duke mbyllur kështu praktikisht organizatat perëndimore të lajmeve që ndodhen brenda vendit.
Nuk e kishim me gjithë mend
Në takimin e politikëbërësve perëndimorë këtë javë do të thuhet se ata nuk kanë ndërmend t’i japin fund rendit global. E gjithë kjo ashpërsi e masave ekonomike është vetëm për të ndëshkuar agresionin e Putinit, me synimin për të rivendosur pikërisht sistemin e bazuar në rregulla që ai synon të shkatërrojë – dhe bashkë me të, edhe lëvizjen e lirë të tregtisë dhe të financave. Në një botë ideale, Putini do të rrëzohej si viktimë e iluzioneve dhe e paranojës së tij, ndërsa populli rus do të pastronte Kremlinin nga sistemi kleptokratik.
Në këtë skenar optimist, poshtërimi i Putinit do të bënte shumë më tepër sesa thjesht rikthimin e Rusisë te vetvetja e saj. Ai do të risillte në skenë edhe Perëndimin, gjithashtu. SHBA do të braktiste izolimin e modelit të Trump, ndërsa Europa do të fillonte ta merrte seriozisht mbrojtjen e saj. Mbrojtësit e kulturës në të dyja anët e Atlantikut do të qetësoheshin, ndërsa qytetarët e angazhuar dhe të paangazhuar do të festonin njëlloj besimin e tyre kolektiv te liria dhe demokracia. McDonald’s do të hapej përsëri në Sheshin Pushkin, ndërsa gjarpërinjtë e ndryshëm të Keynes do të largoheshin nga kopshti.
Ka mundësi që kjo të ndodhë. Putini nuk do të ishte cari i parë që do të rrëzohej si pasojë e një lufte të vlerësuar dhe të trajtuar keq. Shumë nga njerëzit më të fuqishëm të Rusisë po shohin se si shtëpitë e tyre luksoze, jahtet dhe avionët privatë po konfiskohen kudo, dhe e gjithë kjo si pasojë e një pushtimi për të cilin ata as nuk u konsultuan fare. Të rinjtë në Rusi, veçanërisht në qytetet e mëdha, janë më liberalë se prindërit e tyre. Blerësit në Rusi nuk duan të rikthehen në epokën sovjetike.
Ndërkohë në Perëndim, Ukraina ka nxitur tashmë rikonsiderimin e shumëҫkaje. Siç deklaroi edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, tashmë ndodhemi në një Zeitenwende – në një pikë kthese. Nën udhëheqjen e tij, Gjermania pacifiste ka propozuar një buxhet për mbrojtjen që është më i madh se ai i Rusisë. Ndërkohë, emigrantët ukrainas po mirëpriten nga ato shtete që vetëm pak muaj më parë u shmangeshin të huajve dhe, pas një dekade gjumë në Bruksel, vrulli për integrimin e vendeve të tjera po shtohet.
Megjithatë, kjo pikë kthese mund të çojë në disa drejtime. Mundësitë për ndryshimin e regjimit në Kremlin mbeten të pakta, duke pasur parasysh popullaritetin dhe makinerinë e terrorit të Putinit. Europa Perëndimore i ka dëgjuar edhe më parë fjalët e devotshme për integrimin dhe emigrantët. Dhe shikoni liderët e Perëndimit! Joe Biden vështirë se përcjell një imazh të dinamizmit që do të ndryshojë botën; pas heroizmave të tij fillestare, Olaf Scholz e përshëndeti fjalimin e Volodymyr Zelenskiy në parlamentin gjerman me një inerci të ngjashme me pudingun; Emmanuel Macron është i vendosur të fitojë zgjedhjet teksa përpiqet të duket si Zelenskiy, me një tutë me kapuҫ dhe mjekrën e parruar; ndërsa Boris Johnson ka guxuar të krahasojë rezistencën ukrainase me Brexit.
Teksa presim që këta gjigantë të veprojnë, faktet në terren po ndryshojnë si në ekonomi, ashtu edhe në politikë. Në veçanti, pushtimi i Ukrainës po përshpejton ndryshimet në gjeopolitikë dhe në mendësitë kapitaliste që janë thellësisht armiqësore ndaj globalizimit.
Ndryshimet në gjeopolitikë rrotullohen përreth Kinës. Ngritja e saj e shpejtë dhe në dukje e paepur është fakti qendror gjeopolitik i kohëve tona.
Pyetja e menjëhershme që vjen për Kinën është se deri ku ajo do ta mbështesë Putinin në Ukrainë. Ndërkohë që në Kinë zhvilloheshin Lojërat Olimpike Dimërore gjatë muajit shkurt, Xi dhe Putin nënshkruan një deklaratë që refuzonte zgjerimin e NATO-s në Europë dhe formimin e aleancës amerikane në Azi, si dhe u dakordësuan se promovimi i demokracisë ishte një komplot perëndimor. Kina ka dështuar që të bëhet pjesë e sanksioneve të Perëndimit. Por, tani që triumfi i Putinit është më pak i sigurt, mbështetja e Kinës për të duket më e kushtëzuar. Një javë më parë, vetëm fjalët që u përhapën se Rusia kishte kërkuar ndihmë ushtarake nga Kina – një thashethem që Pekini e përgënjeshtroi menjëherë – shkaktuan rënien më të madhe në tregun e aksioneve të Kinës që nga viti 2008. Në të njëjtën ditë, një institut kinez, Hu Wei, publikoi një memorandum tepër interesant, i cili paralajmëronte vendin e tij se pushtimi i Ukrainës po rigjallëron Perëndimin dhe se Kina duhet të largojë barrën e saj, Rusinë.
Pavarësisht nëse lideri i Kinës vendos ta lërë Putinin në baltë, pushtimi i Ukrainës me siguri ka përshpejtuar imperativin afatmesëm të Xi për një “shkëputje” – duke e izoluar vendin e tij nga varësia nga Perëndimi. Xi e ka kaluar pjesën më të madhe të sundimit të tij duke ndërtuar një rend ekonomik sinocentrik përmes nismës “Brez dhe Rrugë”. Kina i është bashkuar Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, i cili ka 15 anëtarë, dhe ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor, një bllok i tregtisë së lirë me 11 anëtarë i cili u krijua nga SHBA-ja e më pas u braktis marrëzisht prej saj.
Për “tufën e ujqërve” të nacionalistëve të rinj kinezë rreth Xi, reagimi ndaj Ukrainës është një argument tjetër i fuqishëm në mbështetje të vetë-mjaftueshmërisë. Zotërimet e mëdha të aseteve në dollarë të Kinës tani duken si një detyrim, duke pasur parasysh gatishmërinë e Amerikës për të konfiskuar asetet e Rusisë, veçanërisht nëse regjimi do të mendonte për pushtimin e Tajvanit (ku pretendimi i tij se ishulli është kulturalisht dhe ligjërisht pjesë e Kinës është tmerrësisht i ngjashëm me pretendimet e Rusisë për Ukrainën).
Edhe disa amerikanë janë po aq të prirur për këtë “shkëputje”, një ndjenjë kjo që bashkoi republikanët dhe demokratët që përpara pushtimit të Ukrainës nga Putin. Biden mund të ketë hequr dorë nga retorika sinofobike e Trump, pasi nuk flitet më për “virusin kinez”, por ai ka vazhduar të mbajë pjesën më të madhe të tarifave, të kontrolleve të eksportit dhe të rregullave të investimeve që trashëgoi nga administrata e kaluar, madje shtoi edhe të tijat. Për shumë amerikanë, gjithashtu, Ukraina ka qenë një test edhe për situatën në Tajvan: Ata nuk duan të kenë varësi nga komponentët që vijnë nga Tajvani, të cilat mund të zhduken papritur e në mënyrë të menjëhershme.
Pra, në mungesë të ndonjë veprimi vendimtar nga Perëndimi, gjeopolitika po lëviz kundër globalizimit – drejt një bote të dominuar nga dy ose tre blloqe të mëdha tregtare: blloku aziatik me Kinën në qendër të saj dhe ndoshta Rusinë si furnizuesin me energji; blloku i udhëhequr nga Amerika; dhe ndoshta një bllok i tretë i cili ka në qendër Bashkimin Europian, me europianët që janë përgjithësisht shumë pozitivë ndaj SHBA-së, por nervozë për rikthimin e mundshëm të një izolacionisti me idetë “Amerika e Para” në Shtëpinë e Bardhë, si dhe të indinjuar nga qasja e Amerikës ndaj rregullave dixhitale dhe mediatike. Fuqitë e tjera do të luhaten midis këtyre dy (ose tre) blloqeve të mëdha, pakashumë ashtu siç bënë edhe gjatë Luftës së Ftohtë. India mund të bëjë atë që ka bërë shumë mirë me rastin e Ukrainës dhe të luajë me të dyja palët. Pakistani do të anojë drejt Kinës, por nuk do të angazhohet plotësisht për sa kohë është në lojë edhe India. Arabia Saudite do të shfrytëzojë pasigurinë që lidhet me furnizimet me energji, për të vazhduar brutalitetin në vendin e saj dhe politikat islamiste jashtë vendit. Dhe kështu me radhë.
Zjarri i madh i sigurive
Po aq i rëndësishëm sa ky ndryshim në gjeopolitikë është edhe ndryshimi i mendësisë kapitaliste. Megjithëse epoka aktuale e globalizimit u lehtësua nga politikanët, ajo është nxitur nga biznesmenët. Nuk ishin Ronald Reagan apo Margaret Thatcher ata që vendosën se komponentët e një iPhone duhet të vijnë nga 40 vende të ndryshme. Facebook nuk u krijua nga politikanë të nivelit të lartë – madje as nga Al Gore. Uber nuk ishte një degë e Departamentit të Transportit në SHBA.
Nga këndvështrimi i një CEO-je, pushtimi i Putinit në Ukrainë ka sjellë shumë më tepër se sa thjesht çlirimin e embargove perëndimore dhe rritjen e inflacionit. Ai po varros shumicën e supozimeve bazike që kanë qenë në themel të këndvështrimit të biznesit për botën gjatë 40 viteve të fundit.
Në betejën e madhe intelektuale të viteve 1990 midis Francis Fukuyama, i cili shkroi “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” [The End of History and the Last Man] (1992), dhe mësuesit të tij të Harvardit, Samuel Huntington, i cili shkroi “Përplasja e qytetërimeve” [The Clash of Civilizations] (1996), CEO-të në përgjithësi kanë mbajtur anën e Fukuyamës. Pamja nga salla e bordit drejtues ka qenë e drejtpërdrejtë: Demokracia nuk do të fitojë gjithmonë (Kina ia mësoi këtë kapitalistëve shumë shpejt), por ekonomia e arsyeshme zakonisht do të fitojë. Bizneset mund të mbështeten te një botë ku vendet do të specializoheshin në avantazhin e tyre krahasues. Tregtia e lirë do t’i afronte njerëzit, siç argumenton Fukuyama, në vend që t’i ndajë ata, siç paralajmëroi Huntington – dhe bizneset që arrijnë një përhapje globale dhe ndërtojnë zinxhirët e furnizimit me kosto efektive do të jenë ato që do të ecin përpara.
Në aspektin komercial, kjo pati rezultate spektakolare. Gjatë 50 viteve të fundit, kompanitë shumëkombëshe janë kthyer nga federata të kompanive kombëtare në organizata vërtet të integruara që mund të përfitojnë plotësisht nga ekonomizimi i shkallës në rang global (dhe, natyrisht, nga boshllëqet globale te taksat dhe rregulloret). Tregtia botërore e mallrave të prodhuar u dyfishua fillimisht në vitet 1990 dhe më pas u dyfishua sërish në vitet 2000. Presionet inflacioniste janë mbajtur në nivele të ulëta, pavarësisht politikave të lehtësuara monetare. Edhe pas një breshërie të ndërprerjeve të shkaktuara nga politika – tarifat e Trump, Brexit, e kështu me radhë – fitimet kanë mbetur të larta, pasi kostoja e inputeve (të tilla si energjia dhe puna) janë mbajtur në nivele të ulëta.
Tani, ajo që mund të quhet si “Iluzioni i Madh Kapitalist” gjendet nën sulm në Kiev – ashtu siҫ u qëllua me mitraloz në Frontin Perëndimor versioni i Norman Angell-it. Të gjitha rreziqet që më parë prezantoheshin në fund të mbledhjes së mëngjesit të një CEO-je, tani po dalin në krye të saj. Militarizmi dhe rivalitetet kulturore vazhdojnë të mposhtin logjikën ekonomike. Pushtimi i Putinit në Ukrainë është thjesht një rast në listën e gjatë të vendimeve të shteteve të ndryshme që dëmtojnë ekonomikisht veten e tyre, duke filluar nga dhuna me karakter dinastik (bombardimi i Jemenit nga Arabia Saudite dhe vrasja e gazetarëve) deri te izolacionizmi i pamenduar (Brexit). Dhe këto marrëzi thjesht përforcojnë njëra-tjetrën: Kështu, francezët po i përgjigjen aktit vetëdëmtues të Britanisë për daljen nga BE-ja, duke i ndërprerë kompanive të tyre burimin kryesor në kontinent për kapitalin me ҫmim të ulët në qytetin e Londrës.
Kundër një irracionalizmi të tillë të vazhdueshëm, CEO-të që dikur ndërtonin perandori të bazuara te sistemi i prodhimit në ҫast (just-in-time), tani po shtojnë prodhimin joefikas më afër shtëpisë, në rast se ndërpriten operacionet e fabrikave të tyre që ndodhen në vende të huaja. Kreu i një prej firmave më të fuqishme të investimeve në botë, e cila ka aksione në pothuajse çdo kompani të rëndësishme perëndimore, foli privatisht për “një cunami rillogaritjesh” në fundjavën pasi Putin pushtoi Ukrainën. CEO i një prej kompanive shumëkombëshe më ikonë të Amerikës pranon se po rishikon prodhimin në të gjithë Kinën. Çdo kompani perëndimore tani po përpiqet të kuptojë se sa e ekspozuar është ndaj riskut politik. Tashmë, kapitalistët kaluan të gjithë në krahun e Huntington.
Por as thjesht frika nuk po e ndryshon mendësinë kapitaliste. Lakmia po merr gjithashtu një nuancë anti-globale. CEO-të po pyesin në mënyrë racionale se si mund të përfitojnë nga ato që Keynes i quajti “monopole, kufizime dhe përjashtime”. Tani që qeveritë po përdorin sigurinë kombëtare si një justifikim për korporatat e mëdha kombëtare, biznesmenët mund të zgjedhin nga një gamë e gjerë mundësish për të rritur fitimet dhe për të shtypur konkurrencën në industri të tilla si energjia, farmaceutika dhe gjysmëpërçuesit. Narendra Modi, i cili dikur ndante pikëpamjet e Thacher, tani po i bën jehonë thirrjeve të Mahatma Gandhit për vetë-mjaftueshmëri dhe po vendos tarifa për industritë lokale. Kryeministri i ri i Japonisë, Fumio Kishida, ka krijuar pozicionin e ministrit të sigurisë ekonomike me një mandat për të ndërhyrë në sigurinë kibernetike, në prodhimin e çipave dhe në shumë aspekte të tjera. Macron ka deklaruar se “Shteti do të duhet të marrë në dorë disa aspekte të sektorit të energjisë”. Biden e përdori fjalimin e tij në State of the Union më 1 mars për të premtuar se “Gjithçka, nga kuverta e një aeroplanmbajtëseje e deri te çeliku në parmakët e autostradës është prodhuar në Amerikë, nga fillimi deri në fund. Gjithҫka.” Kjo u duartrokit nga të dyja palët e Kongresit.
Pra, epoka e dytë e globalizimit po venitet shpejt. Nëse nuk bëhet diçka sa më shpejt dhe me vendosmëri, bota do të ndahet në kampe armiqësore, pavarësisht se çfarë ndodh në Ukrainë. Dhe kjo botë e ndarë nuk do t’i përshtatet interesave të Perëndimit. Shikoni rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Shifra më e trumbetuar është se vetëm 40 vende nuk votuan për këtë rezolutë (35 abstenuan dhe 5 votuan kundër), krahasuar me 141 vende që votuan pro. Por këto 40 vende, ku përfshihet India dhe Kina, përbëjnë shumicën e popullsisë së botës.
Këto ndryshime të thella në kapitalizëm dhe në gjeopolitikë marrin një rëndësi akoma më të veҫantë këtë javë. Joe Biden dhe bashkëbiseduesit e tij europianë duhet të merren me terrorin e shtuar të Putinit dhe kërcënimet për një luftë bërthamore, por ata gjithashtu duhet të trajtojnë pasojat më të gjera ekonomike të luftës përpara se të jetë shumë vonë. Nëse nuk bëhet asgjë, zhvendosja drejt proteksionizmit do të përshpejtohet në mënyrë të pashmangshme. Kinezët duken mjaft të sigurt se Perëndimit i mungon karakteri kolektiv për të ruajtur qëndrimin e tij aktual, në rrethanat e rritjes të jashtëzakonshme të çmimit të energjisë dhe të lodhjes nga dhembshuria. Por, kemi ende kohë për të formuar një të ardhme shumë të ndryshme: një të ardhme në të cilën pasuria globale do të rritet dhe aleanca perëndimore do të forcohet.
Pavarësisht presidencës së tij që nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme deri më tani, Biden vjen në Europë me disa avantazhe të mëdha. E para është se Perëndimi është më i bashkuar dhe më i vendosur sesa ka qenë ndonjëherë në dekadat e fundit. Ndjenja e unitetit përreth vlerave liberale nuk është e kufizuar më vetëm tek elita metropolitane. Një nga problemet më të mëdha të liberalizmit modern gjatë dekadave të fundit ka qenë mungesa e një narrative tërheqëse dhe e një kasti bindës heronjsh dhe zuzarësh. Globalistët kanë folur me një gjuhë të drunjtë për “avantazhin krahasues” dhe “barrierat jotarifore”, ndërsa populistët kanë folur për elitat tallëse dhe komplotet e fshehura. Tani, Putini pa dashje e ka ndryshuar të gjithë situatën. Liria është kredo e heronjve të tillë si Zelenskiy; anti-liberalizmi është kredo e përbindëshave që hedhin bomba mbi fëmijët.
E dyta është përvoja e gjatë e Bidenit. Xhorxh H. W. Bush, një tjetër zëvendëspresident që ka shërbyer për një kohë të gjatë dhe më pas u zgjodh president, u përqesh shumë për mungesën e “vizionit”. Megjithatë, mënyra se si ai trajtoi Perandorinë Sovjetike në ditët e saj të fundit në vitin 1989 ishte shembullore: Ai i dha Mikhail Gorbachev një inkurajim të butë, i rezistoi triumfalizmit të parakohshëm dhe punoi me aleatët për të hedhur themelet e një rendi të ri global. Deri më tani, mënyra se si Biden ka trajtuar pushtimin e Ukrainës ka qenë e ngjashme. Ai ka vendosur një vijë ndarëse ndërmjet mbështetjes së rezistencës dhe përfshirjes direkte në luftë (ose dhënien e një justifikimi që të tjerët të mund të pretendojnë se SHBA është përfshirë në luftë). Për më tepër, ai i ka bërë presion të fortë Kinës për të qëndruar jashtë këtij konflikti.
Biden duhet të shkojë përtej kësaj në javët e ardhshme. Ai duhet të përforcojë aleancën perëndimore në mënyrë që ajo t’i rezistojë stuhive që mund të vijnë në të ardhmen. Presidenti amerikan e ka kaluar vitin e tij të parë në detyrë duke folur për riangazhimin e Amerikës me botën pas izolimit të Trumpit, si dhe për formimin e një aleance të demokracive, por deri më tani ai nuk ka arritur t’u ofrojë aleatëve të tij bazën ekonomike për të lidhur së bashku këto aleanca – veçanërisht marrëveshjet e tregtisë së lirë. Sekretarja e tij e tregtisë, Gina Raimondo, u dërgua në Azi vitin e kaluar për të ftuar vende si Singapori dhe Malajzia në disa koncepte të paqarta të quajtura si “korniza bashkëpunimi”, kur në fakt të gjithë aleatët aziatikë të Amerikës duan një marrëveshje tregtare solide, të ngjashme me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP) që Trump e hodhi poshtë.
Biden duhet të pranojë se zgjerimi i ndërvarësisë ekonomike midis aleatëve të tij është një imperativ gjeostrategjik. Ai duhet t’i ofrojë Europës një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë për të lidhur Perëndimin së bashku; kjo mund të ishte një version i riformuluar i Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe të Investimeve që është refuzuar më parë, bazuar në konvergjencën rregullatore (sipas të cilit, një produkt që është i sigurt për t’u shitur në BE është i sigurt për t’u shitur edhe në SHBA, dhe anasjelltas). Ai gjithashtu duhet t’i bashkohet CPTPP-së.
Nuk është e vështirë të imagjinohet se Europa apo Azia demokratike do t’i nënshkruajnë këto lloj paktesh, duke pasur parasysh tronditjen nga agresioni i Putinit dhe frikën e tyre ndaj Kinës. Por, problemi i Biden mbetet në shtëpinë e tij. Pse duhet ta pranojë këtë e majta demokratike? Sepse, duhet të përgjigjet Biden, siguria e Ukrainës, e Kinës dhe e Amerikës kanë më shumë rëndësi sesa votat e unionit. Detyra parësore e presidentit amerikan është të mbrojë vendin e tij. Biden është aq i vjetër sa për të mbajtur mend se Shtetet e Bashkuara e fituan Luftën e Ftohtë në mënyrë paqësore, sepse ato bashkuan të gjithë botën e lirë në këtë luftë. Kjo është mënyra se si duhet fituar në mënyrë paqësore edhe lufta e radhës. Bashkimi i potencialit ekonomik të botës së lirë – i BE-së, i Amerikës së Veriut, i ekonomive më të mëdha të Amerikës Latine dhe i demokracive të Azisë – mund të bëjë shumë më tepër sesa thjesht largimin e autokracive. Ky bashkim mund t’i tërheqë këto vende drejt lirisë.
Biden duhet të ndjekë një strategji me dy faza: Së pari, të thellojë integrimin ekonomik midis vendeve me ide të ngjashme; por duke e lënë derën të hapur për autokracitë, nëse ato bëhen më fleksibël. Kina mund të nxitet për të ardhur drejt lirisë. Por, situata nuk do të përmirësohet nëse Biden nuk bashkon fillimisht botën e lirë. Ky bashkim nënkupton tregtinë e lirë – dhe sa më shpejt ai t’ia thotë partisë së tij këtë, aq më mirë.
Biden mund ta zbusë këtë mesazh në politikën e brendshme duke shtuar një dimension politik në axhendën e tij të tregtisë. Platforma që ai ka prezentuar “Build Back Better” vlen edhe për globalizimin. Një marrëveshje e re globale sigurisht që duhet të përfshijë një fokus për t’i detyruar kompanitë shumëkombëshe që të paguajnë taksat e tyre, ndërsa mjedisi duhet të jetë në plan të parë. Por Biden duhet të flasë edhe për koston e vërtetë të proteksionizmit duke e lidhur atë me çmimet e rritura, produktet më të këqija dhe pakësimin e inovacionit. Përhapja e lirisë ekonomike mbetet garantuesi më i mirë i prosperitetit global dhe amerikan: i prosperitetit global për arsye se, pavarësisht të gjitha vështirësive, 50 vitet e fundit të globalizimit kanë pasuruar pjesën më të madhe të botës; dhe i prosperitetit amerikan për arsye se prosperiteti i SHBA-së varet pikë së pari nga siguria e këtij vendi.
Ndërtimi i një “rendi të ri botëror” të tillë do të jetë një punë e mundimshme. Por, alternativa mbetet ndarja e botës në blloqe armiqësore ekonomike dhe politike që vjen ashtu siҫ ishte në vitet 1930. Biden, Johnson, Scholz dhe Macron duhet të mendohen mirë se si do t’i gjykojë historia. A duan që të krahasohen me politikëbërësit pas Luftës së Parë Botërore, të cilët qëndruan tërësisht pasiv teksa bota u copëtua dhe monstrat morën në dorë frerët e pushtetit? Apo do të donin më mirë të krahasoheshin me kolegët e tyre pas Luftës së Dytë Botërore, politikëbërësit që ndërtuan një botë shumë më të qëndrueshme e të ndërlidhur?
Askush nuk do ta kuptonte rëndësinë e kësaj zgjedhjeje më mirë se Keynes. Ai fillimisht u bë i njohur për kundërshtimin e tij ndaj Traktatit të Versajës, duke i cilësuar shtetarët e kohës si njerëz që nuk kuptonin asgjë. Por, në fund të Luftës së Dytë Botërore ai mori pjesë në diçka shumë më konstruktive.
Në vitin 1944, kur humbja e Hitlerit dukej e pashmangshme, Presidenti Franklin Roosevelt ftoi fuqitë aleate në një konferencë për të dizenjuar rendin e ri pas luftës – nën kujdesin e Keynes dhe të ekonomistit Harry Dexter White, nga ana amerikane.
Keynes i moshuar kishte probleme me zemrën dhe nuk e duronte fare stinën e verës në Amerikë – “këtu djersitesh gjithë ditën dhe papastërtia të mbetet në fytyrë” – kështu që ai ishte i lumtur që konferenca u mbajt në New Hampshire dhe jo në kryeqytetin e federatës. Hoteli Mount Washington në Malet e Bardha u zgjodh pjesërisht për klimën, por edhe sepse ofronte të gjitha komoditetet e jetës së qytetëruar – centralin e vet, zyrë postare, fushë golfi, kishë, sallon bukurie, dyqan berberi, sallë për bowling dhe kinema.
Ky ishte mjedisi që nevojitej për konferencën më të rëndësishme që nga Konferenca katastrofike e Paqes në Paris në vitin 1919. Keynes, i cili nuk ishte më një proteksionist, luajti një rol tepër të rëndësishëm në konceptimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore dhe të infrastrukturës së rendit të qëndrueshëm të kurseve të këmbimit pas luftës. Ai arriti të bindë SHBA-në që të udhëhiqte botën, në vend që të tërhiqej te vetja e saj. Ai ndihmoi në krijimin e Amerikës së Planit Marshall. Kjo konferencë në Bretton Woods krijoi regjimin që në fund arriti të fitonte Luftën e Ftohtë dhe hodhi themelet për epokën e dytë të globalizimit.
Në banketin përmbyllës më 22 korrik, ky njeri i madh u duartrokit me shumë ovacione. Brenda dy viteve, ai ndërroi jetë – por bota për të cilën ai punoi aq shumë për ta krijuar, vazhdoi të ekzistonte. Ajo botë nuk duhet të vdesë në rrugët e Kievit. Por, me sa duket, ky është drejtimi që ajo ka marrë, nëse liderët që takohen këtë javë nuk e shfrytëzojnë momentin për të krijuar diçka më të mirë./ Marrë nga Bloomberg, përktheu Monitor.al