“Janë shumë faktorë që kanë sjellë krizën energjetike, por themelore mbetet keqmenaxhimi i burimeve tona hidrike. Në tregun e brendshëm ka një alarm që ka filluar që nga tetori i kaluar dhe kjo i ka bërë operatorët edhe më të ndjeshëm. Klima është e tillë që pritet që të ketë rritje. Rritja ka ndodhur në mënyrë indirekte. Kërcënim mbetet edhe rritja e çmimit për familjarët nga qeveria”.
Kështu u shpreh ish-ministri i Energjetikës, Zef Preçi, i ftuar në “5 Pyetjet nga Babaramo” teksa foli për krizën energjetike në vend.
Ai theksoi se prodhimi vendas i energjisë mbi bazën e burimeve hidrike është i mjaftueshëm nëse nuk do të kishte humbje të mbulonte nevojat e vendit.
Keqmenaxhimi
“Së pari, sa i takon burimeve njerëzore. Sektorët publikë janë të mbingarkuar me punonjës. Kemi administratë të fryrë dhe me paga të larta, me punonjës të marrë në punë me kritere partiake. Bordet nuk kanë profesorë apo me kontribute shumëvjeçar në sektorë, por janë qoka partiake.
Menaxhimi teknik. Personalitetet e fushës janë zëvendësuar me brez të ri. Ka interferenca politike në vendimmarrje të rëndësishme. Ka mungesë transparence”.
A mund të shmanget kriza?
“Shmangia e krizës lidhet me një mori faktorësh, si me furnizimin ashtu dhe me investimet që janë kryer dhe duhen kryer. Ky është një proces dhe jo një moment. Duhet të kishte burime alternative. Mund të shikohet si mundësi rihapja e minierave, si për shembull ajo e qymyrgurit në Memaliaj”.









