Shqipëria po shkon drejt kërkesës për ndarjen nga Maqedonia në rrugën e integrimit pasi në horizont nuk ka asnjë shpresë. Pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare në Luksemburg, Sofja deklaroi se pozicioni i saj mbetet i pandryshuar për Shkupin duke bllokuar edhe Tiranën.
“Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet një prioritet i politikës së jashtme bullgare, por meritat e secilit vend kandidat janë me rëndësi kyçe.
Mbetet thelbësore që Bullgaria të arrijë rezultate të pakthyeshme në ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe marrjen e garancive të qarta në kuadër të procesit të negociatave me BE-në për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Fqinjësisë.
Ne presim garanci kushtetuese për të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut” tha Teodora Genchovska, ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Pas vizitës së tij zyrtare në Gjermani, kryeministri Edi Rama deklaroi se një veto bullgare ndaj Shkupit edhe në muajin qershor do të pasohet me ndryshimin e pozicionit të Tiranës. Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut.