Kreu i shtetit, Ilir Meta u shpreh sot se e ardhmja e opozitës do të jetë ndryshe duke dhënë sinjalet e para të aksionit që do të nisë pasi të mbyllë mandatin në 24 korrik.
“E ardhmja e opozitarizmit do të jetë krejt ndryshe nga tani. Nuk do t’uu ikë betejave duke favorizuar cenimin e demokracisë dhe këtyre parimeve dhe duke legjitimuar kapjen e shtetit dhe gjoja që nuk ekziston një alternativë e opozitës.
Opozita është kudo, në cdo rrugë dhe rrugicë të Shqipërisë. Pas 24 korrikut angazhim i ri, përgjegjësi të reja” tha Meta.
Presidenti refuzoi që të komentonte sanksionet kundër ish-deputetit Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi. “Nuk kam asnjë koment për të bërë për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin e vendeve të tjera. Për mua e rëndësishme është të respektohet kushtetuta e vendit tonë. Themelet e republikës janë tronditur seriozisht sepse është tronditur rendi politik me zgjedhjet në çdo nivel”, tha Meta.
Derën e bashkëpunimit me Ramën pas mbarimit të mandatit në Presidencë nuk e mbylli. “Në politikë janë të rëndësishme idetë dhe sidomos kur ato janë të kohës de kur i shërbejnë të ardhmes. Unë kam treguar se idetë për të cilat jam përkushtuar në politikë kanë qenë të tilla”.