Lajmi i gazetës gjermane “Der Spiegel” lidhur me incidentin që ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në bordin e avionit të kompanisë Lufthansa ka bërë jehonë edhe në mediat greke. “Kathimerini”, por edhe gazeta të tjerë i kanë kushtuar hapësirë lajmit, që dje ishte kryefjalë në Shqipëri.
“Mediat gjermane kanë raportuar për një skandal me kryeministrin shqiptar gjatë valës së katërt të pandemisë së koronavirusit, duke theksuar se Rama u nxor nga avioni pasi nuk pranoi të mbante maskë” shkruan media greke.
“Kathimerini” ka pasqyruar edhe reagimin e drejtorit të komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, i cili “nuk e mohoi ngjarjen, por tha se Rama është provokuar nga stafi i avionit dhe që kompania kërkoi falje” mbyllet lajmi.