Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, i cili kandidon edhe për një mandat tjetër, ka reaguar sërish pas raportimit të mediave sllovene lidhur me skandalin e madh financiar, ku përfshihen kandidati për kryeministër i Sllovenisë, Robert Golob dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Jansha ka shpërndarë në Twitter postimin e gazetarit slloven, Bojan Pozhar, i cili po e përcjell këtë skandal, ku thotë se afera e publikuar ku përfshihet ambasadori Berishaj, ka “tronditur” Slloveninë dhe Ballkanin.
Sa i përket këtij skandali, kandidati tjetër për kryeministër, Robert Golob, sipas mediave sllovene, ka marrë 600 mijë euro të dyshimta nga ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.
Golob në një debat me kryeministrin Jansha, deklaroi se ky i fundit dhe ambasadori Berishaj janë miq.
Si kundërpërgjigje, Jansha e konfirmoi se e njeh Berishajn, kryetarin e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Slloveni, por mohoi të ketë lidhje shoqërore me të.
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se ka kërkuar raport me shkrim nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për raportimet në mediat sllovene, që e përfshinin në një skandal të madh financiar si sekser për politikanin slloven Robert Golob. Po ashtu Berishaj është thirrur të vijë në Kosovë për ta sqaruar çështjen.
“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër.