Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi sot lëvizjen e radhës kundër ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Ai tha se do të njoftojë autoritetet e SHBA-së në Uashington për atë që e cilëson ndërhyrje të Yuri Kim në procesin gjyqësor për vulën e PD-së që po zhvillohet në Apel.
“Nuk besoj se ka pasur një shkelje më të rëndë mbi vlerat me të cilat qëndron SHBA dhe vendet e lira. Nuk besoj kurrë që ky është një orientim, një parim, i vendit të saj të madh të lirisë, ky është një akt individual për të cilin ne do të informojmë autoritetet e SHBA-së” tha ai.
Më pas Sali Berisha sulmoi gjyqtaren Blerina Muça që pranoi ankimin e Enkelejd Alibeajt për të shqyrtuar kërkesën për rrëzimin e vendimit të shkallës së parë që i dha vulën e partisë.
“Ju keni parë këto kohë një rënie të valës, por që në të vërtetë nuk ka qenë rënie, por angazhim total i këtyre burrave dhe grave në procesin zgjedhor të PD-së, por sot këta janë në këmbë dhe marshin e tyre të lirisë nuk ka forcë që do ta dalë.
Përsa i përket standardit, një gjykatëse vendoste dje të shkruante ligjin e shtetit në një akt që tejkalon cdo imagjinatë, në një presion ndaj të cilit një njeri që ka minimumin e karakterit nuk i lejon vetes akte të tilla, jam i bindur që asnjë vendim dhe asgjë.
Për arsye se është e qartë si drita e diellit, pasi është kjo që nuk ka pranuar ankesën tonë, duke vlerësuar se ne nuk ishim palë, ndërsa tani shpalli palë atë që nuk ishte palë. Shkroi ligjin në aktin më të shëmtuar të CV-së së saj, por jo vetëm, por të shumë, është pak më komplekse, por revolucioni nuk ndalet nga asgjë” tha ai.