Lufta në Ukrainë nuk i ka zbehur tensionet në Egje mes Greqisë dhe Turqisë. Pak ditë më parë forcat turke përfunduan stërvitjen e madhe ushtarake “Atdheu Blu”.
Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar akuzoi Greqinë për militarizimin e ishujve të Egjeut, duke thënë se problemet dypalëshe “duhet të zgjidhen në kontekstin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Por, rrjeti “Nordic Monitor” që funksionon në të njëjtën logjikë si “WikiLeaks” zbulon ambiciet e stërvitjes turke që improvizoi edhe një “provë” zbarkimi në një ishull grek. “Nordic Monitor” shkruan se sipas planit të stërvitjes, ekipet turke filluan të sulmojnë objektivat në ishullin Yilancik në Marmaris, pranë Rodosit.
“Ndërsa një grup ra në ujë nga një helikopter, një tjetër iu afrua ishullit nën ujë. Ekipet u shoqëruan nga një ekip tjetër që u hodh me parashutë në ishull me helikopter.
Pasi grupet shkatërruan objektivat e armikut, flamuri turk u ngrit në ishullin e pushtuar” shkruan “Nordic Monitor”, duke shtuar se “megjithëse stërvitja mbulon tre dete, ajo ende nënvizon shënjestrimin e vazhdueshëm të ishujve grekë nga Turqia. Këtë e vërteton edhe fakti se armiku imagjinar është Greqia”.