Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj gjatë vizitës së tij në SHBA, është ftuar në shoqatën “Vatra”.
Gjekamarkaj ka biseduar me anëtarët e Vatrës për gjendjen aktuale të PD-së, shpalljen non grata të Berishës si dhe për dyert e blinduar të partisë.
“PD po kalon një moment të vështirë. Kaq qenë goditje për të gjithë shpallja non grata e doktor Berishës. Por ky nuk është vendim i PD, por SHBA dhe ata rikonfirmojmë herë pas here. Jam shumë i vogël për ta ndarë ambasadore nga departamenti, departamentin nga Biden. Mesa kuptoj unë këto janë vendime të SHBA, ku ne nuk kemi interes të konfliktohemi”, tha ai, teksa sqaroi se ai nuk ka qenë pro për dyert e blinduar dhe 8 janarin në tërësi.
I pyetur për hetime të mundshme të Lulzim Bashës në SHBA, deputeti thotë: “Nëse Basha ka përgjegjësi duhet të hetohet, nëse ka faj duhet të dënohet. Për presidentin Trump nuk kam çfarë të them se është e madhe.”
Teksa konflikti disamujor përfundoi në gjykatë, Gjekmarkaj thotë se vendimin e Agron Zhukrit që njohu “Rithemelimin” e hedh poshtë. Ndërkohë, shton se situata do vullnet politik.
“Për sa i përket vendimit të gjykatës, hedh poshtë vendimin e Zhukrit, në thelb nuk e zgjidh situatën. Do të jetë kaotike situata, do vullnet njerëzor në radhë të parë. Unë nuk dua një parti pak më të madhe se të Sali Berishës dhe një parti në hije të vogël të Lulzim Bashës sepse nuk shkojmë askund. PD ka nevojë të bashkohet. Secili duhet të bëjë një hap pas”, u shpreh ai.