Gjatë takimit të zhvilluar ditën e sotme, mes Vladimir Putin dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, kreu i Kremlinit mori sërish shembull Kosovën, për të justifikuar krimet e luftës.
“Personalisht kam lexuar të gjitha dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për situatën në Kosovë. Më kujtohet mirë në vendim ku thuhet që një apo tjetër territor për ta ushtruar të drejtën e vetëvendosjes, nuk është i detyruar të kërkojë leje për të deklaruar sovranitetin. Ky është një vendim i gjykatës ndërkombëtare. Ky vendim u mbështet gjithashtu nga të gjithë”, – tha Putin që shtoi se Luhansku dhe Donetsku kanë të njëjtën të drejtë si Kosova, pasi që sipas tij, tashmë është krijuar një precedent.
Por kreu i OKB-së ishte i prerë në përgjigjen që i dha Presidentit rus pasi sipas tij, “Kombet e Bashkuara nuk e njohin pavarësinë e Kosovës” duke i bërë të qartë Putinit se shembulli që ai mori nuk qëndronte.
Ky ishte takimi i parë ndërmjet Putin dhe Guterres që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Me herët ai u takua edhe me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe më pas do të shkojë në Kiev.