Kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se partia Demokratike do të marrë pjesë në konsultimet për kreun e ri të shtetit, duke dalë kështu kundër ish-kryeministrit Sali Berisha. “Në këtë proces do të marrim pjesë për detyrimin që kemi ndaj shqiptarëve” tha ai.
“Për procesin e zgjedhjes së presidentit, e dini qëndrimin tim personal dhe grupit është bërë i qartë. Me mendje të hapur duke marrë peshën e përfaqësimit të gjysmës së shqiptarëve, do të jetë pjesë e diskutimit të grupit, duke profilizuar, duke pasur si synim, një profil politik që të jetë për shqiptarët” vijoi më tej Alibeaj.
Dy janë kriteret për zgjedhjen e kreut të shtetit, tha në vazhdim të prononcimit drejtuesi i grupit më të madh në opozitë duke i kërkuar shumicës që të mos nxitohet.
“Presidenti i ri mos të dalë nga votat “non grata”, pasi janë 4 deputetë të kësaj maxhorance, ca publikisht e ca jo të etiketuar si “non grata” dhe nuk kanë të drejtë morale e politike të votojnë dhe të jetë një profil politik dhe jo sikur kërkon Rama, që të mos jetë përballur me teste apo sprova.
E duan shqiptarët këtë, në një situatë që Presidenti të jetë i tillë, që kur institucionet kanë rënë, Presidenti të jetë njeriu i ekuilibrave, që ka treguar në të shkuarën që përballet me dinjitet. Emra nuk kam. Procesi kërkoj që të jetë serioz dhe të mos ngutemi. Nuk është cështje numrash, por procesi, që duhet të jetë gjithëpërfshirës. Parlamenti ka detyrimin, jo ta zgjedhë nga gjiri i vet, por transparent.
Unë nuk nxitoj. Fatin e përcaktoj vetë në cdo dimension. Unë nuk nxitoj. Procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të jetë serioz, ngutjen e shoh nga shumica, shpejt e shpejt. Hedh sinjale, jo do ta hedh sot, jo po nuk erdhët ju, do ta bëjmë vetë. Testi i të gjithëve sot është të zgjedhim një president për shqiptarët, që të mos jetë hermafrodit. Nuk e ka të drejtën dhe legjitimitetin, as me numra. Ne nuk biem në kurthin që të ikim me bisht ndër shalë, do të jemi këtu me standarde, vlera dhe transparencë”.
I pyetur se përse do të ulet sërish në një tryezë dialogu dhe negociate me Edi Ramën, Enkelejd Alibeajt tha se tani kanë mësuar nga dështimet. “Janë leksione nga të cilat kemi nxjerrë mësime, nuk duhet të ndodhë më. Do të marrim pjesë në proces duke paraqitur kërkesat tona. Do u qëndrojmë fort atyre. Konsultimin ta bëjmë së pari me njerëzit tanë, publikun, a ka ai kurajë të deklarojë se 4 mandate nuk i ka? Nuk e ka” përfundoi ai.