Sofja nuk lëviz nga qëndrimi. Pavarësisht presionit të SHBA-së dhe BE, Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev u shpreh nuk do e heqë veton për Shkupin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, nëse Maqedonia e Veriut nuk ndryshon Kushtetutën në lidhje me minoritetin bullgar duke bllokuar kështu edhe Shqipërinë.
“Perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë dhe është një synim strategjik i Bullgarisë, por integrimi i saj nuk mund të ndodhë pa garantuar më parë të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ndalimin e gjuhës së urrejtjes.
Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut dhe futja e një fjale – bullgarët, së bashku me kombet e tjera shtetformuese në vend do të thotë se ajo e pranon idenë evropiane” tha Radev.
Kryeministri i Shqipërisë ka paralajmëruar se nëse deri në qershor nuk hapen negociatat, do të kërkojë ndarjen nga Shkupi në rrugën e integrimit.