Një tjetër rast dhune në familje është shënuar në Elbasan që ishte në prag të një tjetër ngjarje të rëndë. Policia ka arrestuar 39-vjeçarin Xh.Sh. pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Kjo e fundit, e rënduar psikologjikisht, ka konsumuar ilaçe duke tentuar të marrë jetën e saj.
“Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. Sh., 39 vjeç, banues në lagjen “5 Maji” Elbasan, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila për shkak të kësaj dhune ka konsumuar medikamente mjekësore, në sasi të mëdha.
Aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia. Pak ditë më parë në Elbasan një grua u hodh nga pallati duke i dhënë fund jetës për shkak të dhunës nga burri dhe vjehrra, sipas familjarëve.