-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Grupi Vagner, historia pa filtra e njeriut të Putinit: Pse po humbasim

Kryesoret

Nga Marat Gabidullin

Vetëm pak kohë më parë i kuptova vërtet arsyet që më shtynë të shkruaj një libër mbi mercenarët rusë. Nxitja e parë më erdhi kur nisa të lexoj sërish pas një periudhe të gjatë ngërçi intelektual. Lexova me një frymë librin “Përrallat e Sevastopolit” të Lev Tolstoit, dhe duart e mia iu drejtuan instiktivisht tastierës së kompjuterit.

Më mundonte nevoja e papërmbajtshme për t’i bërë bashkatdhetarët e mi të kuptojnë një ide shumë të thjeshtë, të cilën e refuzon morali ynë publik. Madje e gjykon si një sakrilegj, pasi është i papajtueshme me vizionin e zhvillimit historik të veçantë për Rusinë: ne jemi si gjithë të tjerët.  

Dhe se i ashtuquajturi identiteti ynë i “veçantë”, shpirtëror dhe romantik nuk është gjë tjetër veçse një mit, i ushqyer nga ata që përfitojnë prej tij. Ky libër nuk është aq shumë një rrëfim i aventurave ushtarake të një mercenari dhe shokëve të tij, por më tepër një përpjekje për të ilustruar se si Rusia e përdor mercenarizmin.

Na thuhet se “ushtarët e aventurës” janë një dukuri tipike e Perëndimit, dhe se mercenarizmi është produkt i “Hidrës” së kapitalizmit. Por edhe ne rusët i kemi përdorur mercenarët për të promovuar interesat e vendit tonë jashtë vendit. Politikanët qëndrojnë të heshtur në lidhje me ekzistencën e kompanive private ushtarake ruse, dhe refuzojnë në tërësi çdo aludim për përdorimin e formacioneve të tilla joqeveritare.

Nga ana e tyre, propaganduesit indoktrinojnë fort rusët e thjeshtë duke iu ngulitur idenë e një politike të jashtme ruse, duke shmangur çdo përgjigje të drejtpërdrejtë për pyetjet në lidhje me përdorimin e mercenarëve. Kush është rehat me këtë gjendje? Para së gjithash, ata që jetojnë në kurriz të njerëzve, duke u përpjekur të bindin të njëjtin popull për dobinë e tyre.

Për shembull, gjeneralët rusë në Siri, kanë zbatuar me sukses një strategji që mund ta kishin pagëzuar “Këtu nuk ka”, duke krijuar iluzionin e fitoreve të lira, pa kosto njerëzore nga radhët e ushtrisë. Por shifrat reale të qytetarëve rusë që vdiqën në luftën kundër Shtetit Islamik, nuk përputhen me shifrat zyrtare.

Numri i mercenarëve rusë të vrarë në Siri është shumë më i madh sesa ai i ushtarëve të ushtrisë. E megjithatë, pjesëmarrja e CMP (kompani private ushtarake), përdoret sërish për të ushqyer mitin e një lufte jo të përgjakshme. Ushtria ruse e të gjitha niveleve, e pranishme në Siri gëzon lavdinë e triumfit, dhe ka luksin të lajkatohet nga njerëzit injorantë, që kanë rrezikuar vërtet jetën e tyre për të mposhtur xhihadistët e Shtetit Islamik.

Nga situata përfitojnë edhe udhëheqësit politikë, duke e quajtur atë një “dukuri të papajtueshme me vlerat tona morale”. Shpëtimi i regjimit të Bashar Al-Asadit i ka dhënë mundësinë Rusisë të krijojë imazhin e mbrojtëses së kriminelëve të të gjitha llojeve në çdo pjesë të botës.

Kontinenti afrikan mbetet një terren i virgjër për diplomacinë ruse dhe strategë t politikë. Pushteti është në duart e liderëve të paskrupullt, të cilët kanë qenë në gjendje të vlerësojnë ndihmën e ofruar nga Moska në Damask, dhe janë treguar të gatshëm ta lënë Rusinë të marrë në dorë burimet natyrore të vendeve të tyre të pasura me ar, diamante dhe naftë.

Mbështetja e Rusisë tek mercenarët është një fakt i vërtetuar dhe i pakundërshtueshëm. Ky libër thjesht gjurmon historinë e njërit prej tyre. Secili prej nesh zgjedh se për cilat ideale të luftojë. Një ditë vendosa që nëse do të më duhej të rikthehesha në luftë, do ta bëja këtë vetëm për t’i dhënë fund luftës.

Nuk jam i vetmi që mendoj kështu, por jemi gjithsesi një pakicë. Të tjerët janë gati t’i shërbejnë Perëndisë dhe Mamonit. Tek e fundit ata janë mercenarë. Më 24 shkurt, presidenti i Federatës Ruse nisi një “operacion special” kundër atij që ai e quan “regjimi nazist i Ukrainës”.

Por brenda pak ditësh “operacioni special” rezultoi të ishte një luftë në shkallë të gjerë: qytete të shkatërruara, civilë të vrarë. Në një konflikt, diskutimi se cila palë është përgjegjëse për vdekjet e civilëve nuk ka asnjë kuptim. Është gjithnjë agresori ai që gabon. Ai që e ka nisur luftën është i vetmi që duhet të përgjigjet për pasojat e saj.

Gjykuar nga armët e sofistikuara dhe municionet me saktësi të lartë dhe me fuqi të madhe, duket se Rusia i ka filluar përgatitjet për luftë shumë kohë më parë, duke investuar miliarda dollarë në këtë projekt, dhe kjo në një kohë që  të moshuarit në Rusi detyrohen të jetojnë me pensione poshtëruese, dhe kurat mjekësore për fëmijët financohen nga fushatat e mbledhjes së fondeve në TV!

Po ushtria? Pavarësisht dominimit total të hapësirës ajrore dhe epërsisë së armëve moderne, ajo ka pësuar humbje të mëdha. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk gënjen kur deklaron numrin e të vdekurve, por nuk thotë gjithçka. Një ushtar, trupi i të cilit gjendet dhe identifikohet konsiderohet i vdekur.

Mbetjet e paidentifikuara ose të braktisura në territorin armik klasifikohen shkurt me termin “nuk dihet fati i tij”. Garda Kombëtare, Rosgvardia, nuk është pjesë e ushtrisë dhe Ministria e Mbrojtjes nuk është e detyruar t’i llogarisë si humbje në radhët e saj. E njëjta gjë vlen edhe për formacionet e armatosura të republikave separatiste në Ukrainën Lindore.

Kur Rusia u përfshi në luftën në Siri, ushtria ruse dërgoi mercenarët për të bërë punën në terren, dhe sot po korr “të mirat” e asaj fitoreje artificiale. Dje ushtria ruse luftoi pa shumë motivim kundër Shtetit Islamik, murtajës ideologjike të shekullit XXI-të. Sot ajo po sakrifikon luftëtarët e saj me një zell të madh në një luftë kundër një kombi simotër.

Mercenarët e vrarë rusë regjistrohen në një listë të veçantë, që mbetet sekret. Dhe numri i tyre në Ukrainë është i madh, në të gjitha frontet e të ashtuquajturit operacion special. Formacionet në republikat separatiste të Donbasit, të njohura vetëm nga Rusia dhe që në 8 vite kanë pasur vetëm një strategji mbrojtëse, nuk do të mund të kryenin dot operacione sulmuese pa mbështetjen e një force tjetër, asaj të mercenarëve.

Deri vonë, rreth Kievit kishte të paktën 2 detashmente mercenarësh, të caktuar posaçërisht për këtë operacion. Për më tepër, 3 detashmente të Grupit Vagner marrin pjesë në luftimet në Mariupol dhe Harkiv. Mercenarët paguhen në dollarë. Tendenca e re brenda forcave pushtuese ruse, është shkëmbimi i patriotizmit me dollarë. Ideologjia nuk ka asnjë lidhje, rëndësi ka të mbushësh xhepin me para.

Po Rusia? Si zakonisht, shumica miraton linjën e partisë dhe qeverisë. Truri i bashkatdhetarëve të mi, të cilin propaganda e ka kthyer në pelte, e pranon pa problem idenë

e “denazifikimit” dhe “çmilitarizimit” të Ukrainës. Çdo 9 maj, rusët ekspozojnë fotot e të dashurve të tyre që ranë në Luftën e Madhe Patriotike, por nuk guxojnë të merren me çeçenë t “e rrezikshëm”.

Përvetësimi i fitores së etërve nuk mjafton më për të kënaqur mendjet e tyre të çoroditura apo epshin për madhështi. Këtë herë fajtori i të gjitha të këqijave është regjimi “nazist” i Ukrainës dhe mbështetësit e tij perëndimorë dhe amerikanë, të cilët kanë qenë gjithmonë armiqësorë ndaj nesh.

Populli rus triumfon dhe shkruan shkronjën “Z” në mure dhe automjete. Dhe fitorja në këtë luftë, emri i së cilës nuk duhet të shqiptohet, është tashmë e garantuar paraprakisht nga ligji që ndëshkon çdo formë disidence apo narracioni që devijon nga versioni zyrtar.

Televizioni, radioja dhe gazetat janë të censuruara, dhe jo të gjithë dinë se si t`i kalojnë filtrat e censurës në internet, madje as nuk e ndiejnë nevojën për ta bërë këtë. Kjo është situata ideale për ta kthyer në fitore çdo lloj humbje. Vështirësitë ekonomike të lidhur me izolimin ndërkombëtar nuk e trembin shumicën e rusëve, të cilët nuk kanë jetuar kurrë me bollëk apo nuk kanë pasur kohë të mësohen me të.

Miqësia me vendet në zhvillim, shumë e kushtueshme për buxhetin tonë, dhe bashkëpunimi asimetrik me Kinën duket një zgjidhje e pranueshme për t’i rezistuar “diktateve” të Perëndimit, ku me “diktat” nënkuptohet aftësia për të negociuar dhe për të vendosur standarde të larta për të mbetur konkurrues.

Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë me vendin tim dhe me mua. A kam frikë për jetën dhe lirinë time? Unë nuk jam një figurë e shquar si Aleksei Navalni apo Boris Nemcov. Unë nuk bëj thirrje për të dalë në protesta dhe nuk drejtoj asnjë lëvizje opozitare. Gjithçka që kam mundësi është të flas hapur dhe me njohuri për faktet.

A do të më akuzojnë se jam një armik i popullit? Tani kjo shprehje përdoret për të damkosur këdo që guxon të thotë me zë të lartë, atë që disa preferojnë ta kalojnë në heshtje dhe që të tjerët nuk duan ta pranojnë. Unë jam gati të jetoj me këtë stigmë, e cila ka kuptim vetëm për ata që vendosin etiketa. Koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë. / “Il fatto Quotidiano” – Bota.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit