Prishet marrëveshja PS-PD për Presidentin e ri. Kryetari i grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj tha sot se marrëveshja me PS-në u prish, pasi socialistët sipas tij u tërhoqën nga premtimi që propozimi i PD-së për president në raundin e dytë dhe të tretë të shkojë në parlament i mbështetur edhe me firmat e shumicës, jo si nevojë, por si garanci për procesin. Pas kësaj që ndodhi, Alibeaj tha se nuk do të ketë më negociata me PS-në.
“U tregua kush është pala tjetër, jo se unë nuk e dija. Shkelja e njëanshme, i njoftohet shumicës dhe publikohet menjëherë. E fundit, cila do të ishte shkaku, njëri mund të jetë edhe cilësia e kandidatëve tanë. Kandidaturat nuk janë as të blerë dhe as të shitur, por njerëz me integritet. Kur Rama pa se njëra prej tyre do të ishte president i republikës dhe pa që nuk kishte asnjë shans për ta kapur apo joshur bëri këtë gjë sot.
Ne firmat i kemi jo për një kandidat, por për dy, por procesi u bë që produkti të ishte konsensual, presidenti mbi palët. Nuk kam keqardhje. Ne u nisëm për të krijuar një proces, jo tekash, kulisash dhe dhomash të errëta. Ne qëndruam parimor për një president të të gjithëve. Ne kemi qenë seriozë” tha ai.