Raundi i dytë i zgjedhjes së presidentit do të ketë fatin e të parit, pasi asnjë kandidaturë nuk u zyrtarizua deri në 16:00 të së dielës, që ishte edhe afati i fundit.
Sot në 18:00 do të mbahet seanca e dytë. Të drejtën e propozimit të emrave për raundin e dytë Partia Socialiste ia la opozitës.
Por deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj u tërhoq nga propozimi i emrave, pasi mazhoranca e bëri të qartë se nuk do të firmoste kandidatë të opozitës që duhet t’i gjente vetë 20 deputetët firmëtarë.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla thotë se nëse opozita vijon të mos sjellë kandidatë atëherë mazhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit.
Sipas procedurave të parashikuara, Konferenca e Kryetarëve do të përcaktojë mbajtjen e raundit të tretë, i cili është i fundit që kërkon 84 vota për zgjedhjen e presidentit.
Në 2 raundet e fundit mjafton një shumicë e thjeshtë prej 71 votash për të zgjedhur të parin e shtetit.