KQZ mblodhi sot në një diskutim partitë politike për të diskutuar për votën e emigrantëve. Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri u shpreh se është gati për të nisur punën në komision për votën e diasporës.
“PS është gati, është momenti të fillojmë punën për reformën zgjedhore. të marrim pjesë te komisioni i reformës zgjedhore, u bëj thirrje palëve. Bëhet fjalë për 1/3 e elektoratit shqiptar, që mund të jetë shumë dinamik për reflektimin e vlerave dhe peshës. PS është gati për të marrë pjesë në këtë proces” tha ai.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ngriti tre shqetësime. “LSI ka qenë avokate e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë. Unë kam tre çështje; çështja e parë, regjistrimi i shqiptarëve me banim jashtë.
Kush do i regjistrojë, përmes e-Albania-s apo ambasadës, a rrezikojmë procesin? 2.5 milionë shqiptarë jetojnë jashtë. 9 mijë shtetas janë të regjistruar dhe vetëm 6 mijë janë votues. Si do ta mbulojmë regjistrimin.
Duhet t’i simulojmë për t’u regjistruar. Cështja e dytë është mënyra e votimit, si do të bëhet? Çështja e tretë, ku do ta japë efektin vota e shqiptarëve jashtë, a do të krijojmë një zonë të re zgjedhore, apo në zonën ku është regjistruar shtetasi para largimit. Kjo krijon vullnet politik” tha ajo.