Ngjarja më e madhe futbollistike e vitit në Shqipëri, finalja e UEFA Europa Conference League, nuk solli vetëm tifozë nga ekipet pjesëmarrëse, interesin e gjithë sportdashësve, por edhe një sukses të vërtetë mediatik për Shqipërinë.
Madje, ajo ndoshta ka hyrë në histori si ngjarja sportive në Shqipëri më e ndjekur në të gjitha kohërat, pasi sytë e 400 milionë njerëzve në ekranet e gjithë botës u kthyen për nga Tirana.
Të pranishëm në stadium kanë qenë 510 gazetarë të huaj. Në 155 vende të botës, ngjarja futbollistike u transmetua drejtpërdrejt dhe përllogaritjet paraprake të shikueshmërisë në bazë të regjisë ndërkombëtare tregojnë se shifra e shikuesve ka shkuar në 400 milionë njerëz.
I gjithë eventi në vetvete, shkoi më së miri, përtej përplasjeve të tifozëve holandezë e italianë me Policinë e Shtetit, një ditë përpara shkelmimit të parë të topit në fushën e blertë.