Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nisma e Ballkanit të Hapur mund të realizojë qëllimin e saj vetëm nëse ka barazi. Gjatë fjalës së saj në Samitin për Demokraci të Europës Juglindore që po mbahet në Mal të Zi, Osmani tha se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, por ka rëndësi edhe se me kë rrethohesh.
“Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, por ka rëndësi edhe me kë rrethohesh. Nëse dikush ka qenë ministër i propagandës i Milosheviqit gjatë luftës në Kosovë, ka rëndësi. Nëse autorët nuk marrin përgjegjësi për krimet e kryera, ka rëndësi. Anëtarësimin e Kosovës në NATO e shohim si garancinë e vetme të stabilitetit afatgjatë në rajon. Në nismën ‘Open Balkan’, mund të ketë Ballkan të hapur vetëm nëse e trajtojmë njëri-tjetrin si të barabartë”, tha Osmani.
Kryetarja e shtetit gjithashtu tha se arsyeja pse Kosova dëshiron t’i bashkohet BE-së nuk është vetëm ajo ekonomike, por edhe sepse ka një përputhje mes vlerave të vendit dhe Unionit.
“Kosova dëshiron të jetë pjesë e BE-së, jo sepse ne e shohim atë si një makinë parash, por sepse ne përputhemi me vlerat e saj. Kosova ka harmonizuar sanksionet kundër Rusisë në përputhje me BE-në dhe vendet demokratike. Koncesionet ndaj tiranëve nuk çojnë kurrë në paqe”, shtoi Osmani.
Gjatë ligjëratës presidentja e Kosovës edhe këtu përmendi përvojën e popullit të saj të gjenocidit nga regjimi serb.
“Ne kemi përjetuar luftë dhe gjenocid. Agresioni i Rusisë po teston institucionet dhe aleancën tonë. Neve po na bie ndërmend se liria dhe siguria nuk duhet asnjëherë të merren si të mirëqena”.