Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se një rast i dyshimtë për Linë e Majmunit është duke u trajtuar në QKUK. Bëhet fjalë për një 69-vjeçar nga Komuna e Dragashit.
“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, me datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë në Linë e majmunëve. Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit”, thuhet në komunikatë.
Sipas Ministrisë, atij i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike në Holandë. Gjendja e tij është e qëndrueshme.
“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, ka njoftuar Ministria.