Europa është e çarë përballë sanksioneve të SHBA-së për Sali Berishën. E ndërsa pak ditë më parë Gjermania i mbylli dyert Sali Berishës, po ashtu edhe Britania, Italia dhe Çekia mendojnë ndryshe dhe tashmë po ashtu edhe Austria.
Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Christian Steinar duke folur nga Korça tha se nuk e komenton politikën e brendshme. “Unë si diplomat sa i përket politikës së brendshme duhet të shoh si do jetë vendimi i gjykatës së apelit.
Për ne është e rëndësishme që kemi një opozitë të fortë sepse është e rëndësishme për negociatat e anëtarësimit” tha ai.
Pak ditë më parë ambasadori italian Fabrizio Bucci u shpreh se ndërkombëtarët nuk duhet të ndërhyjnë në rikthimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.
“Ne nuk mund të ndërhyjmë, ne si Itali, ne si ndërkombëtarë mendoj, se është mjaft delikate të ndërhysh në dinamikat e brendshme të një partie.
Ajo që mund të them, nga një këndvështrim më i përgjithshëm sa i takon opozitës, është se në gjirin e saj ka mjaft politikanë të rinj, të zotë, të aftë, mendoj se ky është pikërisht momenti kur të shohim drejt së ardhmes” u shpreh ambasadori.
Disa muaj më parë, Sali Berisha priti në zyrë ambasadorin çek. Kjo tregon se Bashkimi Europian nuk është i unifikuar me sanksionet e SHBA-së duke i lënë “shtigje” Sali Berishës.