Shqipëria i ka dorëzuar sot Komisionerit të BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič kërkesën për t’u bërë anëtare e mekanizmit për mbrojtjen civile. Pas ndihmës për tërmetin dhe pandeminë, kryeministri Edi Rama tha se nuk është turp kërkesa për ndihmë për zjarret.
“Kjo nuk është për të qarë hallin, sepse këtë e bëjnë edhe me vendet më të fuqishme, e bën edhe Greqia, si përballet, edhe pse është më e avancuar se ne? Falë këtij mekanizimi me ndihmën e të tjerëve. Kjo që bëjmë sot nuk mund ta bënim dje, që të futeshim në këtë union. Kjo vjen si rezultat i reformave që kemi bërë, që agjencia jonë e mbrojtjes civile i ka parametrat” tha ai.
Janez Lenarčič tha se janë gati për të ndihmuar edhe këtë verë nëse do të ketë zjarre. “Ju e mbani mend që vjet në verë Shqipëria u përball me shumë zjarre si çdo vend tjetër në Mesdhe, nga Turqia në Spanjë dhe Shqipëria ka qenë një nga ato vende që kanë kërkuar asistencë dhe iu dha nga mekanizmi i BE-së, nëse do të ketë nevojë këtë verë, do të ketë mundësi, ndodhi para një jave.
Mekanizmi është gati të ndihmojë. Në themel është solidariteti. Avionët për të shuar zjarret nuk janë në Bruksel, por i kanë shtetet anëtare. Sivjet ne jemi gati edhe për një verë tjetër të ngjeshur, ne jemi gati për të ndihmuar” tha ai.