Apeli i Gjykatës të Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të Gazmend Mahamutajt, vëllai i deputetit të Partisë Demokratike, Kasem Mahmutaj. Me vendimin e Apelit, 22 pasuri të Gazmend Mahmutajt mbeten të bllokuara deri në një vendim përfundimtar.
Midis pasurive, janë 7 apartamente, troje, pesë ndërtesa në proces legalizimi, 4 makina, si dhe pesë kompani, ku përfshihen një shtypshkronjë, hotel, studio fotografike etj.
Pasuritë u vunë nën sekuestro me kërkesë të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shkak se Gazmend Mahmutaj ka qenë subjekt i OFLsë.
Hetimi pasuror i nisur për Gazmend Mahmutajn, u shtri edhe te dy vëllezërit e tij, Behar e Kasem Mahmutaj, duke nxjerrë në dritë, sipas Prokurorisë së Posaçme, rreth 25 pasuri në total, të cilët nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme. Një pjesë e pasurive ishin edhe në emër të personave të tjerë të afërt dhe konsistojnë në apartamente, pallate, tokë truall në qytetin e Beratit dhe makina.
Gjykata, në përfundim të procesit, vendosi për konfiskimin e pasurive si të krijuara nga pasuri të dyshimta, sipas kërkesës së SPAK. Në total janë vënë në sekuestro 4 makina, 10 apartamente dhe ndërtesa, një pjesë në proces legalizimi, 3 sipërfaqe tokë truall dhe 1 pallat, duke i lënë në pronësi të tyre, vetëm 3 apartamente.
KUSH ËSHTË GAZMEND MAHMUTAJ
Gazmend Mahmutaj është akuzuar dhe dënuar në Itali nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Bëhet fjalë për vitin 1993.
Në vendimin e shpallur nga gjyqtarja Etleva Deda, numërohen 22 pasuri të konfiskuara ndaj tre vëllezërve Mahmutaj, mes të cilave ndodhen edhe pronat e deputetit.
Burimet saktësuan se nga deputeti Kasëm Mahmutaj, me urdhër të gjykatës, kaluan në favor të shtetit dy apartamente, dy sipërfaqe trualli dhe një automjet.
“Ndonëse familjarët, përfshirë edhe deputetin, i deklaruan pasuritë si të ardhura nga emigracioni, Gjykata vlerësoi se pasuritë e Behar, Kasëm dhe Gazmend Mahmutaj nuk justifikohen dhe se ka dyshime që burojnë nga krimi sa kohë ky i fundit rezulton i dënuar.
Vëllai i deputetit, Gazmend Mahmutaj, me emrin e ndryshuar në Eduart Toska, rezulton të jetë shpallur fajtor nga Gjykata e Veronës në nëntor 1993.
Ky vendim për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit është konvertuar në Shqipëri me 8 vjet burg në të njëjtin vit. Ndërkohë që në vitin 2020 pasuritë e të dënuarit dhe familjarëve të tij u vendosen nën kontrollet e OFL (Operacionit Forca e Ligjit) e më pas të kërkimeve të SPAK, që shkoi në Gjykatë me kërkesë bllokimi të të gjitha pasurive që, sipas prokurorëve të çështjes, nuk justifikoheshin.
Deputetit dhe dy vëllezërve të tij iu është lënë pa konfiskuar vetëm nga një banesë që u toleruan nga Gjykata për motive sociale dhe strehimi”, thuhet në vendim.