Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, falenderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e qartë që i ka dhënë kërkesës finlandeze për anëtarësim në NATO, si dhe shtoi se Finlanda mbështet hapjen sa më parë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Ne dhe Suedia kemi paraqitur kërkesën për anëtarësim në NATO. Ju falenderoj për mbështetjen tuaj të fortë ndaj kërkesës sonë. Zëri juaj dërgon një mesazh të rëndësishëm për Rusinë dhe regjimet autoritare. Ne po tregojmë se jemi të bashkuar dhe nuk ka vend për logjikën e Rusisë. Finlanda dhe Suedia do ta bëjnë më të fortë aleancën. Ne jemi ofrues sigurie për më shumë sesa Evropa Veriore. Duhet të jemi të bashkuar pasi kjo është e vetmja mënyrë që Rusia të ndalë sulmin e saj”, tha Marin.
“Finlanda e mbështet zgjerimin e BE-së, përparësia jonë është që të nisin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pa asnjë vonesë. Ju përgëzoj për punën e suksesshme në Kombet e Bashkuara”, shtoi kryeministrja e Finlandës.