Prokuroria dhe policia e Tiranës goditën sot një grup zyrtarësh me në krye drejtorin e Varrezave në Bashkinë Tiranë, Eljodor Ndini që shiste varret në Tufinë me 500 mijë lekë të vjetra. Në total u arrestuan tetë persona, dy po ndiqen në gjendje të lirë dhe dy të tjerë janë në kërkim.
Oficerët e policisë së Tiranës Marlind Shkreli, Erjon Ismaili dhe Ledion Kolgjoka, kanë kryer një sërë veprimet për të zbuluar veprimtarinë kriminale që kryhej në një nga ndërmarrjet e bashkisë Tiranë.
Një oficer policie u infiltrua duke i kërkuar një vend për në varrezat e Tufinës, Ndinit me pretendimin se i kishte ndërruar jetë një i afërm dhe drejtori i kërkoi lekët në këmbim. Gjithçka sipas dosjes është e dokumentuar me prova filmike dhe përgjime.
Gjithashtu nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar në disa raste se veç Eljodor Ndinit, në shitjen e varreve kanë qenë dhe punonjës të varrezës publike Tufinë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit në shuma monetare që variojnë nga 300 deri 500 mijë lekë të vjetra, bënin të mundur pronotimin e varreve për qytetarë të ndryshëm.
Në përgjimin e bisedave Eljodor Ndini, ka rezultuar e provuar se ushtronte ndikim të paligjshëm tek funksionarë të ndryshëm të institucioneve shtetërore, duke mundësuar nxjerrjen e lejeve të ndërtimit dhe rindërtimit nga tërmeti pranë Bashkisë Tiranë, kundrejt pagesës 2 milion lekë të vjetra.
Nxjerrjen e certifikatave të pronësisë pranë zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfitimin e certifikatave të vaksinimit “Covid 19” sikur personat përfitues ishin vaksinuar kundrejt pagesës në vlerën 300 mijë lekë të vjetra.
Gjithashtu Ndini ndërhynte dhe mundësonte nxjerrjen e kredisë së butë pranë bashkisë së Tiranë.