SPAK ka publikuar bilancin e aksioneve të organizuara në muajin qershor.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se janë paraqitur 12 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve.
Sipas SPAK-ut, pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 5 vendime themeli, janë deklaruar fajtorë 29 të pandehur. SPAK bën të ditur se janë konfiskuar 6 automjete, 82 aparate celular të markave të ndryshme, 6 laptop. Po ashtu, janë sekuestruar 303.800 mijë lekë, 20.074 Euro, 1.005 paund (GBP), 12.000 dollarë, 2200 franga.
SPAK-U NË QERSHOR
Janë paraqitur 12 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve. Janë regjistruar 7 procedime penale, nga të cilët 2 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 5 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Janë dërguar për gjykim 3 procedime penale me 26 persona të pandehur, nga të cilat, 2 procedime me 25 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe një procedim me një të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme është miratuar nga Gjykata e Posaçme një masë sigurimi personal ndaj një personi nën hetim. Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm janë dhënë nga Gjykata e Posaçme5 vendime themeli, janë deklaruar fajtorë 29 të pandehur. Janë kthyer 54 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione të ndryshme lidhur me statusin e shtetasve dhe zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre.
Janë ekzekutuar 6 vendime penale të formës së prerë si dhe janë nxjerrë 22 urdhra ekzekutimi për persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë. Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për konfiskimin e pasurive të luajtshme si automjete, 6 copë; aparate celulare, 82 copë, të markave të ndryshme; laptopë 6 copë. Janë vënë në ekzekutim 3 letër porosi të ardhura nga autoritetet e huaja gjyqësore; janë dërguar 7 letërporosi për ekzekutim autoriteteve të huaja. U është kthyer përgjigje e plotë 24 kërkesave për informacion brenda muajit qershor 2022.









