Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten për 407 raste të reja me koronavirus.
Në bazë të mbi 1.300 testimeve të kryera në 24 orët e fundit, del se 30.7 për qind e të testuarve janë pozitivë.
Në këtë periudhë të raportimit nuk është shënuar asnjë viktimë, ndërsa janë shëruar 149 pacientë.
Aktualisht, numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë është 1.860.
Rritja e numrit të rasteve pozitive ka nisur dukshëm në gjysmën e dytë të qershorit.
Numri i të infektuarve në dy javët e fundit të qershorit është rritur për më shumë se 400%, në krahasim me dy javët e para të të njëjtit muaj.
Gjatë pranverës, shifrat e rasteve pozitive në Kosovë kanë qenë relativisht të ulëta – më 24 maj nuk ka pasur asnjë rast pozitiv.
Në qarkullim besohet se është varianti Omicron i koronavirusit, i cili përhapet më shpejt, por shkakton simptoma kryesisht më të lehta.
Deri më tash, mbi 820,000 persona kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit, që i bie më pak se gjysma e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Me tri doza, ndërkaq, janë vaksinuar mbi 103,000 veta.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars të vitit 2020. Për më shumë se dy vjet, mbi 3,100 persona kanë humbur jetën pas infektimit.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i mobilizojë kapacitetet spitalore dhe se do të bëjë gjurmimin dhe testimin e rasteve të reja pozitive, pas rritjes së përqindjes së të infektuarve.