Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka pritur sot në takim zv/presidentin e rajonit të Siçilisë Gaetano Armao dhe deputeten e Parlamentit të Italisë, Giusi Bartolozzi.
“Mirëprita sot përzemërsisht Zëvendëspresidentin e Rajonit të Siçilisë, Gaetano Armao dhe deputeten e Parlamentit të Italisë, Giusi Bartolozzi.
Në bisedën e frytshme gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë e vendosjes sa më parë të një bashkëpunimi të veçantë mes Shqipërisë dhe Siçilisë, sipas modelit të ndjekur me Rajonin e Puljas.
Ndamë të njëjtin qëndrim mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm, në të gjitha fushat, të marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera mes vendit tonë dhe Italisë.
I lumtur të dëgjoja prej tyre vlerësimet më të larta për bashkëjetesën shekullore me Komunitetin tonë të dashur Arbëresh, pjesë edhe e identitetit historik e kulturor të Siçilisë, që së bashku me komunitetin e ri të shqiptarëve në këtë Rajon përbëjnë një urë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë”, shkruan Meta.