Sot parlamenti i Maqedonisë votoi propozimin francez që i hap rrugën negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ditën e martë të javës së ardhshme do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Por çfarë është konferenca e çdo të thotë për vendin tonë?
Konferenca e parë Ndërqeveritare në fakt nis zyrtarisht bisedimet për anëtarësim të një vendi në Bashkimin Evropian. Në konferencë mblidhen përfaqësues të qeverisë dhe përcaktohen kornizat themelore, pra udhëzimet dhe parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat.
Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat pikërisht në këtë konferencë. Faza e parë përfshinë shqyrtimin e legjislacionit të vendit kandidat, ndërsa negociatat pastaj vazhdojnë në mënyrë metodike përmes legjislacionit të BE-së, të cilin vendi kandidat duhet të miratojë dhe zbatojë.
Negociatat shtrihen edhe në të drejta dhe detyrime të tjera që të gjitha vendet anëtare duhet të pranojnë. Këto njihen si Community acquis. Negociatat e anëtarësimit duhet të përfundojnë përpara se një shtet i ri të mund të anëtarësohet në BE.
Reformat politike dhe ekonomike të kryera nga vendi kandidat monitorohen dhe vlerësohen rregullisht dhe ritmi i negociatave përcaktohet nga rezultatet. Vetëm kur të gjitha palët janë të kënaqura, procesi përfundon me nënshkrimin dhe ratifikimin e Traktatit të Aderimit. Negociatat e anëtarësimit janë aktualisht në vazhdim me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Negociatat janë hapur edhe me Islandën, por aktualisht janë në pritje.
Elementët e negociatave për çdo kapitull
Screening – Komisioni bën një ekzaminim të detajuar, së bashku me vendin kandidat për secilin kapitull për të përcaktuar sa është përgatitur vendi në këtë fushë. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni ia paraqet vendeve anëtare në formën e një raporti analizues. Konkluzioni i këtij raporti është një rekomandim i Komisionit për të hapur direkt negociatat apo për të vendosur disa kushte të caktuara.
Pozitat e negocimit – para se negociatat të nisin, vendi kandidat duhet të tregojë pozicionin e tij dhe Komisioni duhet të përcaktojë ose të përshtasë një qëndrim të përgjithshëm. Për shumicën e kapitujve Komisioni do të vendosë standarde përfundimtare të cilat duhet të arrihen patjetër nga vendi kandidat që negociatat të konsiderohen të përfunduara. Në rastin e Shqipërisë, mendohet të jetë një start i mirë fakti që është bërë një punë paraprake sa i përket Screening (analizës) me kapitujt që do të hapen të parët, 23 dhe 24 dhe që përfshijnë gjyqësorin dhe reformën në drejtësi.
Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformave dhe përafrimi i legjislacionit të vendit me atë të BE-së. Edhe pse nuk ka një publikim institucional sa i përket përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së, mendohet që kjo shifër të mos e kalojë 30%. Duhet marrë parasysh që kur një kapitull të konsiderohet i mbyllur, legjislacioni i asaj fushe duhet të jetë përafruar 100%.
A përfitohen fonde?
Strategjia e Zgjerimit 2018 e KE-së parashikon natyrisht burimet financiare për një anëtarësim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit. Instrumenti i Paraaderimit (IPA) është instrumenti që u vjen në ndihmë financiarisht këtyre vendeve në përgatitet e tyre për anëtarësim dhe lehtëson bashkëpunimin rajonal dhe ndërkufitar.
Gjatë viteve 2007-2017, KE ka investuar më shumë se 8.9 miliardë euro në rajon nëpërmjet IPA-s. Vetëm për vitin 2018 janë parashikuar 1.07 miliardë euro. Strategjia parashikon që fondet IPA do të përshtaten sipas nevojave të vendeve. Dhe natyrisht Shqipëria si një vend që do të hapë negociatat do të ketë nevojë për ndihmë të shtuar financiare. Pra, e thënë shkurt, nëse hapat e Shqipërisë në periudhën e negociatave do të jenë të qarta dhe të sigurta, edhe mundësitë për të përthithur më shumë fonde, do të rriten. Gjithçka varet nga ecuria e reformave dhe përmbushja e kritereve të anëtarësimit.