Ish-presidenti Ilir Meta e hodhi poshtë mundësinë për t’u rikthyer në krye të LSI-së. “Kam besim në angazhimin e LSI edhe në të ardhmen për cështje madhore, kemi një ndryshim të rrethanave historike që kur u krijua LSI. Nuk është më një forcë që mund të ndryshojë fatet e vendit përmes krijimit të saj për të qenë një forcë që ndihmonte për zhbllokimin.
Tani ka ardhur momenti për një transformim të sistemit në vend dhe populli i jashtëzakonshëm i 2 marsit të nisë rrugën e tij, të shumëfishohet ditë pas dite dhe sa më shpejt të triumfojë referendumi, që do të vendosë nën kontrollon këtë klasë politike të papërgjegjshme.
Kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe jam i bindur që referendumi që i ka mundur popullit që nga 1998, do të jetë shpata e Demokleut mbi tradhtarët, “Esat Pashët” e rinj të këtij vendi. Fjalën time në konventë do ta filloj me një llogaridhënie me këto pesë vite në ushtrimin e detyrës së presidentit” tha ai.
Por a do të rikthehet në krye të LSI-së apo do të krijojë parti të re? “Nuk jam këtu për të marrë drejtimin e LSI-së, sepse këtë e lash me vullnet të lirë dhe ndërgjegje të lirë përpara 5 viteve.
Unë jam këtu për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit, që pjesë e cilit ka qenë edhe LSI dhe për t’u bashkuar të gjithë në triumfin e mesazhit të 2 marsit, që është “sovraniteti në republikën e Shqipërisë i përket popullit” dhe populli do ta ushtrojë drejtpërdrejt. Partia e referendumit na pret përpara. Kjo zgjidh cdo problem në Shqipëri, nga oligarkët, kleptokracia dhe kapja e shtetit” tha ai.